Zgjedhjet në Mal të Zi, ‘exit poll’-et: Milo Gjukanoviç drejt fitores

15.04.2018 21:54:59

Kur janë numëruar, më shumë se gjysma e votave të qytetarëve të Malit të Zi për president të vendit, sipas CEMI-t, duket se politikani veteran, Millo Gjukanoviq, do të marrë kreun e shtetit që në rundin e parë.

Siç njofton televizioni i Malit të Zi, me numërimin e 53.1 për qind të votave, Gjukanoviq prin me 53,5%, përkundër 34,1% që ka marrë kundërkandidati kryesor i tij, Mlladen Bojaniq.

Draginja Vuksanoviq nga SDP 5.5%, Marko Milaçiq përfaqësuesi i “Prave Crne Gore” 3.5%, Hazbija Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 0.5%, Dobrilo Dedeiq përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve 0.3% dhe Vasilie Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve 0.2%.

Në garë janë 7 kandidatë, por përballja e fortë është ajo e Milo Gjukanoviç, liderit pro-europian, partia e të cilit udhëheq Malin e Zi prej 28 vitesh dhe në anën tjetër, Mladen Bojaniç i Frontit Demokratik një parti kjo nacionaliste ekstremiste proserbe.

Shqiptarët në Mal të Zi u bashkuan për të dhënë votën për Milo Gjukanoviçin. Analistët në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqipëtarët, por gjithë politikën e rajonit. “Është një moment kritik, ku të gjitha arritjet e Malit të Zi drejt Europës dhe të gjitha arritjet e shqiptarëve këtu vihen në pikpyetje të madhe nëse nuk fiton Gjukanoviçi”, thotë analisti Ali Sala.

Zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së vitit 2016 kaluan nën hijen e arrestimeve të një grupi nacionalistësh serbë të dyshuar për përfshirje në një komplot për vrasjen e Milo Gjukanoviçit dhe vënien në pushtet të partive pro ruse, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Moska i ka hedhur poshtë pohimet për mbështetje të përpjekjeve për grusht shteti, por nuk ka fshehur kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Moskës në vitin 2014, ndërsa muajin e kaluar Podgorica dëboi një diplomat rus pas helmimit të ish agjentit rus në Britani.

Në vitin 2016 Milo Gjukanoviç dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërsa muajin e kaluar shpalli vendimin për t’u rikthyer në pushtet “për shkak të përgjegjësisë për të ardhmen e Malit të Zi”.

Kundërshtari i tij e akuzoi zotin Gjukanoviç për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar.

Zgjedhjet e sotme janë të parat që kur vendi u bashkua me NATO-n dhe shihen si një prove për orientimin evropian të vendit.

Milo Gjukanoviç dhe partia e tij drejtojnë vendin për gati tridhjetë vjet. Në vitin 2006 Mali i Zi shpalli pavarësinë.