Ziadin Sela: Nuk guxoni të fshini diasporën, ktheni vëmendjen te 330.558 votuesit e rrejshëm

21.07.2016 15:07:39

“Marrëveshje që liderët janë marrë vesh për të shkelur Kushtetutën me këmbë e duar. Sipas nenit 22 të Kushtetutës, i cili qartazi thotë që të drejtën për votë e ka çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë, i cili ka arritur moshën madhore dhe e drejta i merret vetëm atij i cili nuk është i aftë për të ushtruar veprimtari dhe veprimtari për të ushtruar i aftë nuk është nga liderët politik, të cilët pa pikë turpi fshinë dhe 200.000 qytetarë kryesisht shqiptar nga diaspora”, kështu ka reaguar kreu i LR-PDSH lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes së arritur mbrëmë transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Unë bëj apel që të respektohet Kushtetuta dhe në të njëjtën kohë parashtroj pyetje: Cili do jetë hapi i radhës me diasporën shqiptare? Do t’iu merret nënshtetësia dhe do t’u konfiskohet prona dhe do të kenë fatin e shqiptarëve në Çamëri. Për këtë do të duhet të përgjigjen liderët politik të cilët i thonë vetes udhëheqës të subjekteve politike shqiptare. Dhe nga ana tjetër pa pikë turpi u fshinë nga e drejta e votës qytetarë shqiptarë këtu në Republikën e Maqedonisë. Kur jemi te tema e Listave Zgjedhore, assesi nuk u diskutua ajo që ishte më e rëndësishmja dhe që është në frymën e asaj në të cilën në këtë moment para foltores Bashkimi Demokratik për Integrim dhe të tjerë faktor politik për Marrëveshjen e Ohrit është Decentralizimi i mirëfilltë i pushtetit. Pastrimi i Listave Zgjedhore ishte momenti kur bëhej ajo që është esenciale në mënyrë që mos ndodhë në të ardhmen ky fenomen i falsifikimit të mbi 330.000 votuesve. Flasim për votues të cilët janë fiktivë ose që nuk janë të gjallë, ose janë regjistruar për votim në disa vendvotime, vetëm e vetëm që maqedonasit të marrin në duart e tyre shumicën. Këto janë gjëra kryesore që duhen bërë ishte Shërbimi Civil, Certifikatat e lindjes dhe Letërnjoftimet duhet që t’i kalojnë në menaxhim Pushtetit Lokal, ashtu siç e ka rregulluar e gjithë bota e civilizuar, dhe e gjithë bota e cila në bazë të Kushtetutës së saj është e orientuar kah zbatimi i të drejtave të qytetarit dhe individit. Ndërsa, bota tjetër e cila mundohet që të diskriminoj i mban në kontroll edhe Zyrat e Shërbimit Civil në mënyrë që të nxjerrë pasqyrë të rrejshme të realitetit etnik këtu në Republikën e Maqedonisë. Prandaj, le të jetë ky apel që bashkë me ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje të bëhet ndryshim që tani e tutje në Zyrat e Shërbimit Civil t’i kalojnë si kompetencë komunave anë e mbanë Republikës së Maqedonisë. Edhe njëherë u bëj apel që mos i ndajnë qytetarët në yllzi, apostrof ose qytetar të listave të veçanta.

Po ashtu, shqetësuese është fakti që pjesa kryesore, që është Prokuroria speciale dhe shteti i së drejtës, është e fundit në radhitje tek marrëveshja e arritur. Kur jemi këtu, bëjmë apel, që Prokuroria Speciale të mos merret vetëm me proceset e montuara maqedonase, por të nisë të merret në mënyrë sa ma urgjente edhe me Sopotin, Monstrën, Lagjen e trimave dhe me çështjet që kanë të bëjnë më shqiptarët. Ndryshe vlerësojmë që e drejta tentohet të ju kthehet vetëm maqedonasve, se atyre nuk ju ka munguar ndonjëherë, e drejta në këtë shtet, do të kthehet në moment që do ju kthehet e drejta shqiptarëve”, thuhet në reagimin e kësaj partie.