ZYRTARIZIMI I GJUHËS SHQIPE NË MAQEDONI DHE POLITIKA DITORE

17.12.2017 01:18:49

Nga: Abdulla Mehmeti

Përderisa nuk ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, partitë politike të shqiptarëve dhe organet e pushtetit do të vazhdojnë të thirren në Marrëveshjen kornizë të Ohrit; përkatësisht, deri sa nuk avancohet statusi juridik-kushtetues i shqiptarëve, nga pakica kombëtare në popull shtetformues, GJUHA SHQIPE nuk do të jetë gjuhë zyrtare në këtë shtet, meqë si e tillë nuk njihet fare si kategori kushtetuese, por si gjuhë të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve!

Ligji i ri, i cli është aktualisht në procedurë kuvendore për miratim, është e vërtetë se e avancon dukshëm përdorimin e gjuhës që e flasin mbi 20% e qytetarëve, në krahasim me ligjin e mëparshëm të vitit 2008 (Ligji për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale), megjithatë, nuk është Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe*, por ,,Ligj për përdorimin e gjuhëve”.

Deklaratat e qeveritarëve vendës edhe të Tiranës zyrtare janë tepër joserioze, të papërgjegjshme dhe për interesa të politikës ditore. Mos u çuditni, sepse një kohë edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Tirana zyrtare, deri sa shqiptarët në Maqedoni luftonin për Universitetin e tyre në gjuhën amtare, ata kërkonin nga Gligorovi dhe zyrtarë të tjerë të këtij shteti: ,,një fakultet mësuesie”!

*Ekspertët e kësaj fushe e dinë dallimin mes,,gjuhës zyrtare” dhe ,,gjuhës në përdorim zyrtar”. të cilat janë dy gjëra të ndryshme, edhe sikur ky ligj të ishte për përdorimin e gjuhës shqipe, jo të gjuhës që e flasin mbi 20% e qytetarëve!