​“Një ditë Serbia do ta njohë Kosovën”, speciale nga Beogradi (Video)

15.10.2016 21:46:29

Ashtu si një serial televiziv që krijon varësi dhe ankth, takimi Rama-Vuçiç përmbylli episodin e katërt në Beograd.

Pas rreth 70 vitesh marrëdhëniesh të ngrira, palët, Shqipëria dhe Serbia, po bisedojnë hapur, mbase duke djegur edhe etapat, për çështje që kanë më shumë se 1 shekull që i ndajnë.

Si në çdo takim tjetër, fjalët që dy kryeministrat i thonë njëri tjetri shkojnë në disa destinacione, që nga SHBA dhe BE deri tek Rusia, pa lënë mënjanë edhe faktorin e brendshëm politik, duke kaluar gjithmonë përmes Kosovës.

Forumi i Sigurisë në Beograd u paralajmërua që do të kishte tension që pas bojkotit që disa përfaqësues kosovarë i bënë në shenjë proteste për arrestimin e drejtorit të policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi. Eksponentë të Kosovës i kërkuan edhe kryeministrit të Shqipërisë të bojkotojë këtë takim.

Por kryeministri shqiptar vazhdoi axhendën e tij në Serbi. Tashmë të përmendësh fjalën Kosovë në Beograd nuk është më një tabu, por është akoma më e vështirë të bësh serbët të ndajnë të njëjtin mendim me Kryeministrin shqiptar, mbase për shumë e shumë vite të tjera.

Rama: Kosova është çështja ku ne tërësisht ndahemi. Pikëpamja ime është që sa më shpejt që Serbia të njohë Kosovën, aq më mirë për të gjithë, por në të njëjtën kohë është një proces që e mbështes fuqimisht dhe për të cilin gjithmonë kam thënë se të dyja anët, se liderat e të dy palëve, si nga Beogradi ashtu dhe nga Prishtina, duhet të përgëzohen, flas për procesin e dialogut.

Kjo fjali, tashmë për Vuçiç nuk është më një provokim, por thjeshtë një përpjekje e Kryeministrit shqiptar për të fituar disa zemra patriotësh në Kosovë dhe Shqipëri.

Vuçiç: Të them të vërtetën, kur e pashë prezencën e medias kosovare, e dija që në fillim që Edi do të shfrytëzojë për t’u marrë me politikë dite. Ai është një politikan shumë më i mirë nga sa jam unë. Nuk do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë diçka të keqe për homolog e mi nga Prishtina. Nuk do ta bëj!

Por në Serbi, akoma nuk janë mësuar që dikush të vijë dhe t’i thotë në sy atë që njerëzit refuzojnë ta mendojnë.

Megjithëse u mundua t’ia vishte shefit të qeverisë shqiptare populizmin me elektoratin shqiptar sa i takon qëndrimit për Kosovën, politika e brendshme serbe është po ashtu vendimtare për qëndrimin e vetë Aleksandër Vuçiç mbi Kosovën.

Qytetarë serbë: Mendoj se Kosova është pjesë e Serbisë.

-Po është pjesë e Serbisë.

– Duhet t’i tejkalojmë marrëdhëniet e këqija dhe të jemi më të hapur me njëri tjetrin sepse sa herë jemi të ashpër me njëri-tjetrin nuk është mirë. Jemi fqinj dhe mendoj se duhet ta vlerësojmë njëri tjetrin më shumë. Në kulturën tonë dhe në historinë tonë Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë por nuk jam i mirëinformuar me çdo gjë sepse ne kemi një rezolutë që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë ndërsa nga vendimet e Amerikës dhe vendeve të mëdha, Kosova nuk është Serbi por për mua do të ngelet pjesë e Serbisë.

– Po, po mendosj se është pjesë e Serbisë, dhe jo sepse kështu mendoj unë, por sepse është fakt, një fakt historik. Nuk ka pavarësi.

– Mund të pyesësh të gjithë serbët  dhe do të thonë se Kosova është Serbi. Nuk ka pavarësi, Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e Serbisë dhe nuk do të ndryshojë. Nëse ka presion ndaj nesh për të njohur Kosovën, mendoj se nuk do ta pranojmë.

– Është pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur sepse ndjej se Kosova është pjesë e Serbisë sepse ka njerëz në Kosovë që janë serbë dhe janë edhe të tjerët, prandaj mendoj se është pjesë e Serbisë.

– Mendoj se nuk duhet të mendojmë për fatkeqësitë kombëtare dhe të gjithë duhet të jetojmë në paqe. Unë jam rus por mendoj se ai provokim që ndodhi në ndeshjen e Serbisë me Shqipërinë, e bënë njerëz me inteligjencë të ulët. Kosova është pjesë e Serbisë sepse ka patur një impakt të madh në historinë serbe dhe shumë njerëz kanë vdekur për Kosovën dhe mendoj se Serbia nuk duhet ta dorëzojë.

Misha Glenny, ish-gazetar i BBC: Gjithmonë i adresohesh një audience të brendshme dhe një audience të jashtme por mendoj se është e sinqertë. Gjithmonë ka për të qenë një element i politikës së brendshme ajo që thuhet. Kishte shumë ambasadorë të BE në sallë që do e raportojnë

Megjithatë, gjatë debatit, vetë kryeministri serb nuk e tha asnjëherë atë që ka thënë gjithmonë në takimet e homologun shqiptar, ‘Kosova është pjesë e Serbisë’, dhe kjo është një shenjë e vogël por e qartë se qëndrimet e Beogradit për Kosovën, do të ndryshojnë me kalimin e kohës, çështja është sa kohë?

Misha Glenny: Mendoj se në ndonjë moment Beogradi do ta njohë Kosovën por kur them se në ndonjë moment, po flas për vite të tëra. Mendoj se ajo që duhet të kujtojmë është se 5 ose 6 vite përpara, çdokush në BE dhe në rajon nuk mendonte se Catherine Ashton do të gjente ndonjë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit për dialog. Ajo ia doli dhe ai dialog me ulje-ngritjet e tij eci përpara. 5 vite më parë nuk mendonim se do të ishte e mundur, pra kjo tregon se lëvizja përpara është e mundur. Natyrisht, Aleksandër Vucic, çfarëdo qofshin mendimet e tij personale, nuk është në pozicionin për të thënë asgjë në këtë moment përveçse ‘Kosova është pjesë e Serbisë’

Megjithatë, tentativa e Kryeministrit shqiptar, është që Kosovën ta kthejë në një diskutim normal në Serbi madje duke kujtuar dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe në  stadiumin Partizan, në dy vjetorin e valëvitjes së tij.

Rama te promovimi i librit: Dikush me kujtoi se nesër 14 tetor bëhen dy vjet nga droni i famshëm. Mbaj mend isha në SHBA dhe mediat e përcillnin si ‘Ufo’, sikur po niste lufta e re ballkanike. Kur përmenda herën e parë Kosovën këtu ne serbi Vuçiç mori pamje të çuditshme. Thashë se do me vdiste përpara syve. Por gjërat ndryshuan. Filluam po flisnim edhe pse nuk binim dakord.

Mes Shqipërisë dhe Serbisë është në mes Kosova, përfaqësuesit e të cilës, kërkojnë pavarësi territoriale nga Serbia dhe pavarësi diplomatike nga Shqipëria

Glenny : Ajo që Rama nuk iu përgjigj kur e pyeta ishte se nëse Kosova është një problem për Shqipërinë dhe për këtë dyshoj se qeveria në Tiranë ka presion nga forca të ndryshme në Prishtinë për të qenë më shumë proaktive për çështjet që prekin Kosovën por ky është dyshimi im. Ai nuk iu përgjigj pyetjes.

Përtej Kosovës, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Serbisë është shumë e brishtë, dhe për këtë të dy kryeministrat kanë falënderuar mentoren e tyre, Angela Merkel, pa të cilën nuk e dinë se ç’do të ndodhë me Ballkanin.

Shqipëria dhe Serbia, ose Rama dhe Vuçiç takohen normalisht, në Beograd dhe në Tiranë. Të dyja vendet, së bashku me Kosovën janë pjesë e procesit të Berlinit. Përtej kësaj, dy kryeministrat e dy kombeve më të mëdha në Ballkan kanë ende një hije dyshimi në marrëdhënien e tyre, ndërmjet miqësisë së fshehur mes batutave apo ndjenjës së protagonizmit në takimet me 300 gazetarë dhe ambasadorë të akredituar në sallë.

Rama: Do i bie shumë shkurt, ne nuk po konkurrojmë për të fituar zemrën e Angela Merkel, ndaj mund të bie dakord me Vuçiç dhe mund të them vetëm se ajo do të jetë Kancelarja e ardhshme, ndërsa Tramp nuk do të jetë President i SHBA-ve. Ky është parashikimi im.

Vuçiç: Unë nuk e di këtë, por ai e di.

Rama: Po, unë e di. Kur të vijë tek zgjedhjet në Rusi, atëherë do të më duhet të të pyes ty.

Vuçiç: As unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në Rusi, gjithashtu.

Vuçiç: Pikë së pari dua të them se Edi nuk njeh limite për atë që po lufton, për një mbështetje më të madhe të Perëndimit. Mund të thotë çfarë të dojë kundër Rusisë ose Moskës, apo mund të thotë çfarë të dojë për t’i cenuar ata

Rama në promovimin e librit: Herën tjetër në Elysee kur kisha ditëlindjen duhet te raportonim për procesin e Berlinit me grupin e punës dhe ishte shume e mërzitshme. I thashë faleminderit qe keni sjelle këta njerëz për ditëlindjen time , faleminderit që keni sjellë edhe Merkel por festat ne Ballkan nuk shkojnë pa muzike. Francois Hollande po me shihte i habitur sikur donte të thoshte po kërkoni orkestër? I thashë jo s’ka problem e sigurojmë vetë, vetëm mos te kemi probleme me protokollin. Dhe dërgova Ditmirin tek Ivica me paramendimin se do e refuzonte por ai tha ‘Cilën këngë të këndoj?’