Dom Lush Gjergji rrëfen jetën e Shën Terezës: Gjithmonë e kishte në zemër popullin e saj shqiptar (Video)

15.10.2016 22:07:34

Biografi i Shën Terezës së Kalkutës, Dom Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, foli dje rreth jetës së saj në Bibliotekën e Kongresit në Washington.

Ai ndau me të pranishmit histori nga jeta e saj, këshilla që Shën Tereza i kishte dhënë dhe pas aktivitetit, bisedoi me Zërin e Amerikës edhe rreth marrëdhënieve të bashkësive fetare në Kosovë.

Ai e takoi Shën Terezën e Kalkutës në vjeshtë të vitit 1968 në Romë, dhe kështu nisi miqësia e tyre. Biografi i Shën Terezës. ka shkruar 16 libra rreth jetës së saj.

Ai shpjegoi se ajo zgjodhi Indinë sepse në Shkup kishte dëgjuar nga etërit Jezuitë mbi mjerimin, varfërinë dhe ndasitë fetare. Nga kjo lindi dëshira e saj për të jetuar mes njerëzve atje dhe për të punuar për të mirën e tyre dhe në mesin e tyre.

“Udhëtimi për në Kalkutë u zhvillua në tri faza: me tren Shkup-Zagreb më 26 shtator të vitit 1928; prapë me tren Zagreb-Dublin më 13 tetor të vitit 1928; dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë prej 1 dhjetorit deri më 6 janar të vitit 1929. Gjashtë javë ka udhëtuar me anije në atë kohë”, tha ai.

Me rastin e dhënies së çmimit Nobel, përballë shumë gazetarëve në Oslo Shën Tereza i tha Dom Lush Gjergjit: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona, në të gjithë botën. Lutuni shumë për fukaratë e mi, dhe për mua dhe për motrat e mia. Unë lutem për ju, Motra Tereza Bojaxhiu”.