​Shpejtim Bulliqi tregon hapat që do të ndërmarrë në administratën komunale

04.03.2020 19:41:25

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur hapat që do të ndërmarrë në administratën komunale nëse merr besimin e elektoratit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se gjatë mandatit të tij do të ketë administratë me shërbime të digjitalizuara dhe inovative, do të formohet platforma e-rekrutimi që mundëson aplikim dhe rekrutimin për çdo pozitë të lirë në mënyrë digjitale, e-kioska dhe rritja e numrit të tyre – dy në Podujevë dhe të tjerat në fshatra.

Bulliqi gjatë mandatit të tij është zotuar po ashtu se do të ketë transparencë të plotë për të gjitha shpenzimet e komunës, rritjen e numrit të sporteleve, ku të gjitha sportelet do të jenë one-stop shop, si dhe do të publikohen të gjitha vendimet në ueb sajtin zyrtar të komunës.

Ai tha se do të formohet edhe platforma e-ankesa, ku qytetarët në mënyrë anonime do të raportojnë shërbimet e dobëta publike, korrupsionin në administratë dhe të tjera.

Për më tepër, ai ka premtuar orar fleksibil të administratës komunale, në mënyrë që ajo të jetë funksionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Podujevës.