Ish-ministri socialist i përgjigjet Ramës: Mos u trego taksat qytetarëve në Facebook, i ke më të larta se kudo

09.01.2017 14:29:25

Në debatin që ngjalli një komunikim i kryeministrit Edi Rama me një ndjekës të tij në facebook mbi taksat, ka ndërhyrë edhe Marko Bello, ish –ministër dhe deputet i Partisë Socialiste.

Në faqen e kryeministrit një qytetar i ka shprehur shqetësimin kryeministrit për mungesën e ngrohjes në shkolla, por Rama në vend që ti përgjigjej pyetjes së bërë, i është kundërvënë duke e pyetur; se çfarë taksash paguante ai.

Sot është ish –ministri socialist Marko Bello, i cili së fundmi ka kaluar me Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, i cili ka marrë përsipër t’i tregojë kryeministrit edhe në emër të qytetarit, se çfarë taksash paguajnë aktualisht  shqiptarët dhe sa shumë paguajnë ata, në krahasim me qytetarët e tjerë të Europës dhe në raport me pagat që marrin.

Postimi i plotë i Marko Bellos në Facebook

“Me beri pershtypje nje reagim nervoz i kreut te Qeverise, teksa po dialogonte me ndjekesit e vet ne rrjetet sociale. Verejtjes se nje qytetari se perse mungon sistemi i ngrohjes ne shkolla e cerdhe, i pari i ekzekutivit iu pergjigj me nje kunderpyetje: Cfare taksash paguan ti?

Dhe vijme keshtu te nje teme qe politikanet tane e kane shume per zemer sa kohe jane ne opozite, por qe i ben te kercejne pupthi kur jane ne pushtet. Eshte fjala per taksat dhe tatimet qe shtetasit paguajne drejtpersedrejti apo terthorazi, por qe opozites i duken shume, ndersa shumices ne pushtet pak.

Ne fakt, sikur vetem te famshmes TVSH, apo tatimit mbi vleren e shtuar t’i referohemi dhe qe eshte 20% per te gjitha produktet qe tregetohen ne Shqiperi, do te mjaftonte ti kujtonim çdo pushtetari ne nivel qendror apo lokal se keto para vijne nga xhepat e te gjithe qytetareve.

Por ne vendin tone ka edhe shume taksa te tjera, sikurse ato qe lidhen me karburantin, rruget etj. qe rendojne goxha ne xhepat e taksapaguesve. Ne Tirane, edhe parkimi neper akset kryesore eshte 100 leke/ora, njelloj si ne vendet perendimore ku pagat jane disa here me te larta.

Shteti mbahet me taksa dhe pagimi i tyre eshte nje detyrim ligjor per cdo individ, por fatkeqesisht si ne shume raste, edhe ne kete fushe nuk respektohet thuajse fare fjala e urte popullore : “Gjella me krip, por kripa me karar”.