Zhgënjimi me partitë, një nga arsyet për numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme

15.06.2017 12:32:20

Numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit ka ndodhur edhe për shkak të zhgënjimit të qytetarëve  me partitë politike.

Mbi 52 mijë vota janë evidentuar si të pavlefshme në zgjedhjet e fundit, që në krahasim më zgjedhjet e 2014-ës janë për rreth 20 mijë më shumë.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile numri i madh i votave të pavlefshëm është shpëtuese, shkruan lajmi.net.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, duke përmendur disa arsye për numrin e madh të votave të pavlefshme, si kryesoren përmend edhe zhgënjimin e qytetarëve më partitë politike.

“Faktori kryesor është zhgënjimi që e kanë qytetarët me partitë politike në Kosovë. Pra qytetarët janë aq të zhgënjyer sa shkojnë deri në vendvotim por nuk e votojnë asnjërin subjekt por i prishin fletëvotimet e tyre. Edukimi i dobët i votuesve si nga KQZ ashtu edhe nga subjektet politike mund të jetë faktori tjetër kryesor në këtë aspekt”, ka thënë Ismaili për lajmi.net.

Ai ka përmendur edhe prishjen më qëllim të votës nga vetë votuesit, në mënyrë që vota e tyre mos të keqpërdoret nga të tjerët, nëse ata nuk votojnë vetë.

Sipas Ismaliti mund të ketë ndodh që edhe komisionarët i kanë prishur votat ose i kanë shënuar si të pavlefshme edhe pse në fakt janë të vlefshme.

Edhe Demokracia në Veprim e cila ka monitoruar procesin zgjedhor, e ka quajtur shqetësuese numrin e votave të pavlefshme.

“Numri i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme është shqetësues, veçanërisht kur marrim në konsideratë faktin që ka trend të rritjes së këtyre fletëvotimeve, përkundër që sistemi zgjedhor ka mbetur i njëjtë. KQZ duhet që sa më parë të bëjë hulumtimin dhe analizimin e shkaqeve që kanë çuar në rritjen e numrit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përmes hapjes së kutive”, ka vlerësuar DnV.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se koha e shkurtër për informim të qytetarëve për të votuar ka ndikuar që  të ketë numër të madh të votave të pavlefshme.

Ndërsa, që KQZ kishte ndarë 235 mijë euro për fushatë vetëdijesuese për mënyrën votimit. Në zgjedhjet e 11 qershorit 40.02 përqind e qytetarëve më të drejtë vote kanë dalë në zgjedhje.