1 mijë policë ‘blinduan’ Tiranën, nuk do të ketë ndërhyrje

18.02.2017 17:00:56

Mbi 1 mijë forca policore, ‘blinduan’ kryeqytetin për mbarëvajtjen e protestës se opozitës.

Përveç efektivëve të komisariateve që ishin prezent përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit ‘, në gatishmëri ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në terren u panë edhe forcat RENEA, të cilët ishin dislokuar në tarracat e godinave të institucioneve përgjatë bulevardit duke vëzhguar situatën nga lartësia.

Prani të shtuar policore ka pasur edhe në akset nacionale drejt kryeqytetit për shkak të mjeteve të shumta, kryesisht autobusë që erdhën në Tiranë. Mes turmës së protestuesve, kishte edhe agjentë civilë.

Disa incidente të vogla nuk munguan. Por kjo nuk cenoi mbarëvajtjen e protestës e cila ishte e qetë dhe pa tensione.

Ashtu siç paralajmëroi Top Channel, policia ishte mobilizuar për një protestë të gjatë nisur nga informacionet e siguruara në rrugë operative por edhe referuar kërkesës së Partisë Demokratike, e cila kishte lënë të papërcaktuar, orarin e përfundimit të tubimit.

Megjithëse leja e mitingut është tejkaluar, policia tha se nuk do të ketë ndërhyrje dhe protesta do të lejohet të vazhdojë