161 Nxënës marrin diplomat dsd1 të lëshuara nga Ministria e Kulturës e Gjermanisë

27.09.2018 16:33:26

Nga Enver Sulaj

Në prani të zyrtarëve të Ambasadës Gjermane në Kosovë, nxënësve, mësimdhënësve dhe të ftuarve tjerë, dje në „Loyola- Gymnasium“ në Prizren, është bërë shpërndarja e diplomave të gjuhës gjermane- DSD 1. Janë gjithsej 79 nxënës që morën certifikatën A2, ndërsa 82 tjerë morën diploma për nivelin B1 të njohjes së gjuhës gjermane. Në fillim të ceremonisë, drejtori i ALG „Loyola Gymnasium“, dr. Axel Bödefeld, tha se kjo diplomë nuk i aftëson nxënësit vetëm për studime në vendet gjermanofolëse, por është aftësim edhe për tregun kosovar të punës.

Zonja Stege, atashe për kulturë e Ambasadës Gjermane në Kosovë, u shpreh e impresionuar për një sukses të tillë, ku në një shkollë të vetme, një numër kaq i madh nxënësish  marrin diploma të nivelit A2 e B1.

Prof. Martin Häusler, përgjegjës i ZfA-së (Zentralstelle für das Auslandsschulewesen- Zyrës Qendrore për shkollat jashtë shtetit) dhe mësimdhënës i gjermanishtes në „Loyola- Gymnasium“, i falënderoi mësimdhënësit për punën e palodhshme që e kanë bërë gjatë këtij rrugëtimi dhe i uroi nxënësit, të cilët kanë treguar njohuri dhe arritje të larta në gjuhën gjermane. „Uroj t´i arrini caqet, dhe t`ju realizohen shpresat dhe ëndrrat me marrjen e kësaj diplome”, -tha z. Häusler.