Pas votimit të vizave për Kosovën, Çollaku i dërgon mesazh Fajonit

05.09.2016 18:38:46

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka falënderuar raportuesen e Bashkimit Evropian për Kosovën, Tanja Fajon, lidhur me raportin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën i prezantuar në Komitetin për të Drejtat dhe Liritë Civile dhe punë të brendshme në Parlamentin Evropian.

“E mirëpres votimin pozitiv në komisionin e Parlamentit Evropian për të drejtat civile, drejtësi dhe punë të brendshme (LIBE). Votimin e sotëm duhet ta kuptojmë edhe një rikonfirmim të radhës për mbështetjen që lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve të Kosovës e gëzon tek eurodeputetët e përfaqësuar në këtë komision të Parlamentit Evropian, dhe është një hap përpara drejt vendimit përfundimtar. Uroj që ky hap dhe i gjithë procesi të përfundohet sa më shpejtë. Qytetarët e Kosovës e kanë merituar trajtimin e barabartë me fqinjët e tyre qe një kohë të gjatë, dhe institucionet e Kosovës kanë bërë punë të pakursyer në përmbushjen e kërkesave të parashtruara në këtë proces”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Çollaku ka shtuar se duhet nënvizuar që deri te liberalizimi i vizave mbetet të merret vendim nga i gjithë Parlamentit Evropian që të ndodhë në një seancë plenare të mëvonshme, transmeton Indeksonline

“Më pas mbetet edhe vendimi i shteteve anëtare të BE, në Këshill të BE për propozimin e Komisionit Evropian për Liberalizim të Vizave. Prandaj, për të gjithë të interesuarit këtu po e ndaj me ju një përshkrim se ku jemi në këtë proces tani për tani”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ndryshe, Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian nuk i ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave të Parlamentit me Këshillin e BE-së për vendimin formal për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vlen të theksohet se dy kushtet e vëna nga KE janë luftimi i korrupsionit dhe demarkacioni me Malin e Zi.