Itali, kapen 17 thasë me marijuanë me vlerë 2 milionë euro, dyshohet se vinte nga Shqipëria

17.11.2016 23:33:28
Rojet Bregdetare italiane ka gjetur rreth 5 milje larg brigjeve të Otrantos, 17 thasë marijuanë që në tregun e shitjes mund të kapnin vlerën e mbi 2 milionë euro.

Vetëm pak orë më parë po në ujërat e Otrantos rreth 4 milje larg bregdetit, Roja bregdetare italiane ka shpëtuar një skaf motorin në avari e me në bord dy shtetas shqiptar.

Kanë qenë pikërisht ata që me një telefon satelitar kanë kërkuar ndihmë shpëtimi. Pas verifikimeve, u zbuluar se njëri prej shqiptarëve ishte i kërkuar nga drejtësia italiane për vepra të ndryshme penale të kryera kohë më parë në Veri të Italisë. Shtetasi shqiptar u arrestua menjëherë.

Autoritetet italiane po hetojnë nëse ka lidhje midis këtij operacioni shpëtimi e 17 thasëve me marijuanë të gjetura në mes të detit.