18 vjet më parë: A është tradhtuar komandant “Kumanova” nga Fatmir Limaj, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Elmi Reçica?

25.08.2016 12:29:13

Nga Rexhep Kastrati

Ismet Jashari – komandant “Kumanova” është vrarë në rrethana ende të pasqaruara sa duhet më 25 gusht 1998, dhe sot kur janë bërë 18 vjet nga kjo vrasje, mbetet ende aktuale thirrja për Fatmir Limajn që t’u përgjigjet rreth 30 pyetjeve që para katër vitesh ia ka drejtuar publikisht vëllai i tij, Murat Jashari.

Nga ato pyetje të Murat Jasharit mund të dyshohet se Fatmir Limaj nuk ishte sjellë si duhet me Ismet Jasharin – komandant “Kumanovën”, madje deri edhe në tradhti. Kjo bëhet më e qartë kur të shihen pyetjet për nxitje konflikti mes Ismet Jasharit dhe Gani Krasniqit, me pyetjet që kanë të bëjnë për telefon, e mbi të gjitha me pyetje për pasaportën, për luftimet e ndryshme etj. Mirëpo, nga këto pyetje, del se ka edhe implikime edhe më të thella të Ilegales, sidomos pas marrëveshjes së Crans – Montanës në Zvicër. Është interesant për të theksuar se Murat Jashari pyet Fatmir Limajn për arsyet pse lajmi për vrasjen e Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës” i është kumtuar familjes tek më 2 dhjetor, pra rreth 100 ditë me vonesë. Para kësaj, Murat Jashari ka pyetur Fatmir Limajn se për çka kishte shkuar te ta Elmi Reçica natën ndërmjet 24 e 25 gushtit, pra një natë para se të vritet Ismet Jashari, komandant “Kumanova”? Po ashtu, është interesant të sqarohet edhe roli i Azem Sylës dhe i Xhavit Halitit në vrasjen e Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”.

Murat Jashari, vëllai i Ismet Jasharit, komandant “Kumanovës” shtron pyetje edhe për trajtimin e familjes së këtij të fundit nga ana e fatmir Limajt dhe të autoriteteve të Kosovës, dhe përmend edhe shtëpinë e papërfunduar për këtë familje.

“100. Pse e ke „ndërsye“ Komandant Kumanovën me e vra Gani Krasniqin?

101. Komandant Kumanova a u kërkoi telefon?

102. Pse nuk i dhatë telefon? Kush të urdhëroi që të mos i jepni telefon?

103. Fillim korriku 1998. Aksionet ushtarake (me eksploziv) që janë kryer në IRJM, në Shkup te hekurudha, në Tabanocë, në hekurudhë, dhe në kazermën ushtarake në Kumanovë, mbrenda rrethojës 16 m. Për këto aksione a ke ditur?

104. A e ke ditur se këto tri aksione janë krye në një kohë?

105. A e ke ditur se kush i ka udhëheq këto aksione ?

106. A e ke ditur se këto aksione i ka udhëhequr Komandant Kumanova?

107. Pse SHP pengojë, që mos të dilet me Komunikatë?

108. Mos ishte Marëveshja e Crans-Montana, e Zvicrrës – pengesë?

109. Apo tjetër problem ka pasur?

110. A e dini në detaje ku ka qëndrue problemi?

111. Komandant Kumanova ka mesi i Gushtit 1998 ka pasur me ardhë në Zvicër, për kontroll mjekësor për dorën, a ke pas dijeni për këtë?

112. Ai është bërë gati me ardhë në Zvicër për disa ditë. Ka hekur mjekrën. Unë pasaportën ja pata lënë në vend të sigurtë. Ismeti e ka ditur se ku. Po ti a ke qenë në dijeni?

113. Pse nuk i dhatë leje pushimi?

114. Në natën e 24/25 Gusht 1998 për çka shkoi Elmi Reçica në Kleçkë?

115. Çfarë misioni kishte Elmi Reçica atë natë?

116. Më 25 Gusht është vrarë Komandant Kumanova, a po jo?

117. A keni bërë Raport të hollësishëm për rrethanat se si u vra? Nëse po, kujt ia ke dorzuar atë raport? Nëse jo, pse nuk e ke bërë atë raport?

118. Kush ta dha lajmin i pari për vrasjen e Komandant Kumanovës? Po ti ku u ndodhe kur u vra Kumanova?

119. Më 02 dhjetor 1998 Shukri Buja (Gazetari), i ka dhënë lajmin familjes për vrasjen e Ismet Jasharit. A është kështu?

120. Pse me 100 ditë vonesë?! Ku është arsyeja?

121. Herojt e Popullit nuk janë të mahallave, a po jo?

122. Komandant Kumanovën e shpallët Hero të Kosovës, a po jo?

123. Si ishte betimi i luftëtarëve të lirisë me Emblemën e UÇK-së, a e mban mend?

124. Kur vjenë në Kosovë gruaja e Komandant Kumanovës, Habibja, me fëmijët e vetë, me bë homazhe dhe me vendos lule te varri i Burrit dhe i Babait të vajzave të Komandant Kumanovës (Donika, Monika, Marigona, Margarita e Arta) pse duhet të paguajn në kufi Maqedoni-Kosovë 50 Euro, apo s’e dini këtë?

125. Çfarë Statuti dhe tretmani në Kosovë ka familja e Komandant Kumanovës?

126. Ndërtimin e shpijës në Orizare për familjen e Komandant Kumanovës, qe katër vjetë e ke nisur, a po jo?

127. A duhet t’ju jemi si familje mirënjohës për mosmbarimin e saj, a po jo?

128. Pse nuk u përfundua ajo shtëpi? Kush të dha urdhër mos me e viju ndërtimin?

129. Më 2001 e pata sjellë familjen e Komandant Kumanovës në Shqipëri, që të jenë më afër vendlindjes së Babës së tyre. Të dëgjojnë krismat e pushkëve të luftëtarëve të lirisë – të Brigadës 113 „Ismet Jashari“, me Emblem të UÇKombëtare. Në atë shtëpi ku kanë ndejtur familja e Ismet Jasharit, kanë qenë edhe prindërit e tu me dy vajzat e tyre, e ke ditur, a po jo?

130. Aty afër ke qenë edhe ti, bëjshe qejfe në hotele, e Adem Grabovci 200 DM për hotel natën ta paguante, a po jo?

231. Pse nuk erdhe me e vizitue familjen e Kumanovës?

Dhe në fund të këtyre pyetjeve, shtrohet pyetja kryesore: a e kanë tradhtuar Fatmir Limaj, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Elmi Reçica, Ismet Jasharin – komandant “Kumanovën”?