2 ton kanabis nga Shqipëria, ndjekje në det mes trafikantëve dhe policisë greke e italiane

04.02.2017 18:36:54

Një sasi e madhe droge me origjinë nga Shqipëria është kapur nga autoritetet greke dhe italiane. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane.

Për disa orë është zhvilluar ndjekje në det mes trafikantëve dhe policisë greke e italiane. Sikurse bëjnë me dije mediat greke, 3 personat që ndodheshin në skaf hodhën në det pakot me kanabis sativa për të lehtësuar peshë në mënyrë që të mund t’i shpëtonin kapjes nga autoritetet, Syri.net.

Një helikopter po patrullonte nga ajri ndjekjen në det, që më pas vazhdoi në ujërat territoriale shqiptare. Skafistët u drejtuan drejt bregdetit shkëmbor shqiptar ku dhe mundën t’i shpëtonin rojeve bregdetare italiane dhe greke.

Autoritetet greke dhe ato italiane mblodhën 122 pako të mbushura me kanabis sativa që ishin hedhur në det. Nga peshimi rezultoi se bëhet fjalë për një ngarkesë prej 2 ton drogë. Sa i përket autorëve, ata mundën të arratiseshin dhe janë fshehur në Shqipëri.

Identiteti i tyre është i panjohur. Droga do të transportohej në Itali, por pasi u zbuluan nga Guarda di Finanza, manovruan për t’u shmangur dhe iu afruan bregdetit grek./SYRI.net/

 

Image