200 forca policore nuk arrijnë ta kapin Kelmend Balilin

11.12.2016 10:27:11

Armë zjarri janë gjetur në banesën e Kelmend Balilit, të njohur si Eskobari i Ballkanit, si dhe një persona është arrestuar:

Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, forcat operacionale Renea  dhe FNSH, si dhe strukturat e tjera policore të Komisariateve të Policisë Sarandë e Delvinë, organizuan një operacion për kapjen e shtetasit në kërkim të shtetasit Kelmend Balili, 44-vjeç, banues në Stjar/Sarandë.

Në operacion u janë angazhuar rreth 200 forca policore.

Operacioni në zbatim të Urdhrit të Prokurorit të Krimeve të Rënda, për ekzekutimin e Vendimit penal nr.426, datë 09.12.2016, ‘’Për caktim mase sigurimi’’ të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit ‘’arrest me burg’’ për shtetasin  Kelmend Balili, i dyshuar për kryerje të veprave penale ‘’Trafik i Narkotikëve’’, ‘’Krijim i grupit të strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Menjëherë me marrjen e vendimit gjyqësor të datës 09.12.2016 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Strukturat e Policisë së Shtetit, përpiluan një plan të detajuar masash për kapjen shtetasit Kelmend Balili duke ushtruar kontrolle në banesën e tij dhe në ambiente që ai frekuentonte, me qëllim kapjen dhe ndalimin e tij.

Nga kontrolli i kryer në banesën e shtetasit Kelmend Balili dhe të disa banesave dhe ambienteve të tjera ku dyshohej se personi i frekuentonte nuk u bë e mundur gjetja dhe kapja e shtetasit Kelmend Balili.

Në kontrollet e kryera në banesat e shtetasve B.B dhe Kelmend Balili janë sekuestruar dy armë gjahu gjysmë automatike (shotgan) dokumentacioni i të cilave është në proces verifikimi nga ana e Komisariatit të Policisë Delvinë.

Gjatë këtij operacioni është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Berti Dosti, 36-vjeç, banues në Stjar të Delvinës, pasi është kapur në flagrancë me një armë zjarri tip Zastava të kalibrit 7,65 mm në automjetin të markës Volvagen Golf -5  në përdorim të tij. Arrestimi i tij u bë bazuar në nenin 278/5 të Kodit Penal.

Policia e Shtetit njofton se do të vijojë intensivisht punën dhe kërkimet për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë  të shtetasit Kelmend Balili dhe çdo individi tjetër i cili mund të bëhet pengesë ligjore në kapjen e tij.