Papa Françesku në një xhami në Azerbejxhan: Është shenjë e madhe, të takohemi në miqësi vëllazërore në këtë vend lutjeje

02.10.2016 20:23:17

Me këmbë të zbathura, siç e kërkon feja myslimane, Papa Françesku hyri sot në xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku, së bashku me shehun e myslimanëve të Kaukazit, Allahshukur Pashazadeh, me të cilin ishte takuar pak minuta më parë privatisht. Ishte kjo vizita e fundit e tij para ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e kryeqytetit, me të cilën i dha fund udhëtimit të tij të 16-të apostolik në Gjeorgji e në Azerbajxhan.

“Fakti që jemi këtu sot, së bashku, është bekim!”, tha Papa, në takimin ndërfetar, ku përveç myslimanëve dhe katolikëve ishin të pranishëm edhe ortodoksët dhe hebrenjtë e vendit. “Është shenjë e madhe, të takohemi në miqësi vëllazërore në këtë vend lutjeje, shenjë që tregon atë harmoni që mund të arrijnë fetë së bashku, duke u nisur nga marrëdhëniet personale dhe nga vullneti i mirë i përgjegjësve”.

Në xhaminë ku shehu i myslimanëve i dhuroi një kopje të Kuranit dhe një shtroj si ajo që përdorin myslimanët për lutje, Papa nënvizoi se “jo kundërvënia, por bashkëpunimi ndihmon të ndërtohen shoqëri më të mira e paqësore, si edhe të promovohet dialogu dhe kultura. Duke ua hapur dyert mikpritjes dhe integrimit, hapen portat e zemrave të secilit dhe portat e shpresës për të gjithë”.

 Duke cituar poetin e madh të Azerbajxhanit, Nizami Ganjavi, ai vërejti se bashkëpunimi me të tjerët “nuk varfëron, por pasuron, sepse na ndihmon të jemi më njerëzorë: të pranojmë se jemi pjesë aktive e një bashkësie më të madhe dhe ta interpretojmë jetën si dhuratë për të tjerët; të shohim si qëllim jo interesat vetjake, por të mirën e njerëzimit; të veprojmë pa idealizma e pa interventizma, pa shkaktuar ndërhyrje të dëmshme e pa detyrime, por gjithnjë, duke respektuar dinamikat historike, kulturat dhe traditat fetare”.