52 mijë vota të papranuara, për këte nuk bartë përgjegjësi askush

52 mijë vota të papranuara, për këte nuk bartë përgjegjësi askush

16.06.2017 11:14:47

Votat e 52 mijë qytetarëve kanë shkuar në dëm. Shumë prej tyre në mënyrë të qëllimshme, kanë shprehur pakënaqësinë duke grisur fletëvotimet, e duke vënë mbishkrime me mllefin  për subjektet politike.

Mirëpo jo të gjithë qytetarët kanë shkuar për të votuar me mendjen se si ta dëmtojnë fletëvotimin. Ka prej tyre që nuk kanë pasur njohuri se si duhet të votojnë.

Në deklarimet që janë bërë prej disa vëzhguesve në qendra të ndryshme të votimit, disa qytetarë në vend se të votojnë kandidatët për deputetë kanë zgjedhur 5 subjekte politike, e në listën për deputetë kanë shënjuar vetëm një kandidat.

Për të mos ndodhur këto gabime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve punën e informimit publik për zgjedhjet ia kishte besuar kompanisë “Tigger L.L.C’’. Madje për këtë informim, ishin shpenzuar plot 235 mijë euro.

Kompania fituese e tenderit, nuk duket se ndjen fort përgjegjësi për këtë punë. Indeksonline ka kontaktuar me pronarin e kompanisë , Lumbardh Kukajn për të kuptuar mënyrën me të cilën kjo kompani ka zgjedhur të informoj qytetarët dhe numrin e mediave në të cilat ka publikuar reklamën informuese.

Pronari Kukaj deklarohet se reklamat për plotësimin e fletëvotimeve nuk kanë qenë obligim i  kompanisë së tij.

Ai thotë se reklamën e ka bërë një organizatë tjetër. Pasi sipas tij me kontratë këtë punë e ka pasur një kompani tjetër. Pavarësisht asaj se në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ku edhe është publikuar tenderi, figuron  si kompani fituese ‘’Tigger L.L.C’’.

“Reklamat si të plotësohet fletëvotimi nuk ka qenë obligim i joni. Reklamën e ka ba një organizatë tjetër na nuk i kemi pas reklamat si të plotësohet fletëvotimi, kjo është arsyeja pse janë shpall të pavlefshme. Nuk ka qenë përgjegjësi e jona. Nuk e kemi pas na me kontratë e ka pas një kompani tjetër. Ata i kanë prodhu reklamat si të plotësohet fletëvotimi’’, është shprehur pronari i kompanisë.

Kukaj tregon se puna e tyre kanë qenë reklamat motivuese, për personat me nevoja të veçanta dhe për persona jashtë vendit. Mirëpo, shprehet këmbëngulës se fletëvotimet e pavlefshme, nuk janë shpallur të tilla si pasojë e mosinformimit.

Ai thotë se reklamat në medie janë dërguar me kërkesë të KQZ-së, ndërsa beson se kanë respektuar të gjitha kriteret që kanë pasur në kontratë.

“Puna jonë ka qenë reklama motivuese, për personat me nevoja të veçanta, për persona jashtë vendit. Prapë mendoj se një pjesë e madhe e fletëvotimeve nuk është se ka mungu informimi. Ne i kemi respeku të gjitha kushtet që i kemi pas në kontratë me KQZ-në. Mënyrën e informimit në medie e kemi dërgu sipas kërkesës së KQZ-së’’, ka deklaruar Lumbardh Kukaj.