9 eliminatore, 9 fitore… Gjermania shkon në Kupën e Botës 2018

06.10.2017 00:00:25

Gjermania ka fituar 3-1 ndaj Irlandës së Veriut, duke arritur suksesin e nëntë në po aq eliminatore të luajtura, çka do të thotë kualifikim për në Kupën e Botës 2018, verën e ardhshme në Rusi. Kampionët e Botës në fuqi i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë në Belfast, ndaj vendasve që gjithashtu mund të konsiderohen si të suksesshëm në këtë fushatë, pasi fituan të drejtën për të luajtur në “play off” të muajit nëntor.

Sebastian Rudy shënoi golin e parë, pas vetëm dy minutash lojë, me anë të një goditje të mrekullueshme nga rreth 30 metra, e cila shkoi drejt e në trekëndëshin e portës irlandezo-veriore. Në mesin e pjesës së parë erdhi edhe goli i dytë, i firmosur nga Sandro Wagner, me një kthesë shumë të bukur, sërish nga jashtë zone. Katër minuta para fundit, Kimmich, gjeti edhe golin e tretë për Gjermaninë, ndërsa në sekondat e fundit Magennis gjeti golin e nderit për britanikët.

Në ndeshjen e fundit, me 8 tetor, skuadra e Low do të presë Azerbajxhanin. Në ndeshjet e tjera të luajtura për Grupin C, që vlejnë vetëm për statistikë, sepse llogaritë janë mbyllur, Norvegjia fitoi thellësisht, 8-0 ndaj San Marinos, që i ka humbur të nëntë eliminatoret duke pësuar 46 gola në total. Norvegjia është në vendin e katërt me dhjetë pikë, dy më pak se Republika Çeke, që fitoi 1-2 në Azerbajxhan me golat e shënuar nga Kopic dhe Barak. Raundi i fundit në këtë grup do të luhet ditën e hënë.