9 vite burg për dy britanikët që u përpoqën të trafikonin 18 shqiptarë në Angli

29.07.2016 17:00:06

Një ish-kampion i xhudos dhe një bashkëpunëtor i tij janë dënuar nga një gjykatë në Angli pasi u përpoqën të trafikonin 18 emigrantë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

33-vjeçari Robert Stilwell, ish-kampion i xhudos, u dënua me 4 vite e 4 muaj burg ndërsa për 35-vjeçarin Mark Stribling, u dha dënimi me 4 vite e 8 muaj burg. Dy britanikët pranuan se po trafikonin emigrantë të paligjshëm në ishull dhe për këtë, ata kishin marrë si pagesë 5 mijë paund për çdo emigrant shqiptar.

Ata u kapën në flagrancë, teksa gomonia që transportonte shqiptarët po mbytej rreth 1 milje nga brigjet britanike. Emigrantët u shpëtuan nga roja bregdetare, dhe në ndihmë të tyre erdhi edhe një helikopter, ndërsa dy trafikantët përfunduan në pranga.

Mësohet se 15 burra, një grua dhe dy fëmijë që ishin në gomone, kërkuan ndihmë tek të afërmit e tyre që ndodheshin në Calais, në Francë mbrëmjen e 28 majit.

Muajt e fundit është rritur ndjeshëm numri i emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Trafikimi i tyre bëhet edhe më i lehtë pasi forcat detare që ruajnë gjirin janë shumë ta pakta.