Vetëm 11 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë...

Vetëm 11 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë ndjekin shkollimin special

12.09.2017 12:30:41

Vetëm 11 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë e ndjekin shkollimin special, ndërsa të tjerët vazhdojnë të mbesin të mbyllur nga familja e shoqëria.

Kështu konsideron Rinor Gashi- koordinator i Handikos-it. Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë“ në RTK  ai tha se në Kosovë ekziston një problem shumë i theksuar sa i përket shkollimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Sipas Gashit, fëmijët kanë probleme në qasjen e shkollimit, ku  prindërit e tyre duhet t’i sjellin nëpër shkolla. “Qasja në arsim është shumë e vogël tek këta fëmijë dhe se shumë paragjykohet nga të tjerët rreth këtyre fëmijëve”, deklaroi ai.

Gashi tha se “ka disa prindër që dorëzohen rreth shkollimit të fëmijëve të tyre dhe se nuk mund ta pranojnë  këtë gjë”.

Mësimdhënësit, ndërkaq duhet ta luajnë rolin kryesor që fëmijët të jenë të hapur gjatë çdo aktivitet, konsideron më tej ai . Gjithashtu edhe  prindërit, sipas tij, duhet të pajtohen me këtë dhe se fëmijët e tyre  duhet të pavarësohen dhe të jenë shumë më të hapur me rrethin e tyre dhe të jenë në një shoqëri të emancipuar.