Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tashollin me bashkëpunëtorët, të cilëve iu ka premtuar se do të bëhet e pamundura për nivelizimin e pagave sipas kategorive, duke marrë për bazë Ligjin për FSK-në.
Gjithashtu kryeministri tha se do të angazhohet për lehtësira për strehim e banim, për fjetoret për ata që presin të marrin detyrën me ndërrime, në stacionet e mëdha të policisë kosovare.
Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri u interesua për kushtet e punës së policëve, si një nga shtyllat e sigurisë së qytetarëve, duke u premtuar sindikalistëve të policisë se do të punojë ngushtë me ta për përmirësimin jo vetëm të kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së policëve, por edhe për të avancuar dhe plotësuar legjislacionin për Policinë e Kosovës.
“Në këtë takim, anëtarët e Sindikatës së Policisë e njoftuan kryeministrin Haradinaj me sfidat që e presin PK, njëherësh ata shtruan edhe kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me sigurimet shëndetësore si dhe Ligjin për Pensionimin e zyrtarëve policor të Kosovës”, thuhet në komunikatë.