Organizimi i sistemit arsimor nga shqiptarët e Kosovës gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar kishte të gjitha sfidat dhe vështirësitë që kalonte Kosova nën pushtimin serb, apo edhe i kishte sfidat më të rënda, pasi që ishte aspekti më i ekspozuar i rezistencës dhe i organizimit institucional të Kosovës.
Edhe në komunën e Istogut si në pjesë të tjera të Kosovës, punonjësit arsimorë, nxënësit dhe në përgjithësi qytetarët përballeshin me sfida dhe me vështirësi të mëdha, me vuajte, burgosje dhe me vrasje.
26 vjet më parë në fshatin Uçë të Istogut makineria e dhunës serbe ndaj shqiptarëve vrau tre burra që ishin vënë në mbrojtje të nxënësve të fshatit. Më 31 janar 1992, u vranë Hasan Hysenjan, Bajram Haxhajn dhe Muharrem Hysenajn, duke mos pranuar që të pësonin fëmijët që vijonin mësimet në atë shkollë.
Dhe kjo shkollë mban me krenari emrat e tyre, dhe çdo vit, jo vetëm banorët e këtij fshati, por edhe pushteti komunal i kujton dhe i nderon këta tre burra.
Edhe këtë vit, me rastin e 26 vjetorit, banorëve të fshatit Uçë u është bashkuar edhe kryetari i Istogut, z. Haki Rugova, i cili me bashkëpunëtorë dhe me qytetarë të tjerë, u bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh.
Në një postim në facebook, kryetari i Istogut, z. Rugova u shpreh: “në nderim të 26 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të shkollës shqipe në Uçë. Me krenari shkolla e fshatit Uçë mban emrin e tyre. Lavdi jetës dhe veprës së tyre!”
Po ashtu, z. Rugova ka postuar edhe disa fotografi nga homazhet për tre dëshmorët e shkollës shqipe në Uçë.







































