Çamë jemi të gjithë ne! Edi Rama, larg duart nga çështja çame!

31.01.2018 15:27:26

Nga Rexhep Kastrati

Ashtu siç kam shprehur vazhdimisht shqetësimin se Edi Rama po kurdis mbrapa krahëve të shqiptarëve varre jo vetëm për ushtarët grekë, por edhe për çështjen çame, ashtu edhe doli, pasi që informacionet e para që kanë dalë, bëjnë me dije se kryeministri dhe ministri i Jashtëm i shtetit shqiptar kanë rënë dakord që të falin 12 milje det, por edhe të heshtin çështjen çame.

Në këtë mënyrë, është bërë i qartë entuziazmi dhe optimizmi i Tzipras-it dhe e Kotzias-it se me Qeverinë shqiptare janë duke arritur marrëveshje strategjike për çështjet thelbësore të 70 viteve të fundit. Është e qartë se gatishmëria e Greqisë për të hequr ligjin e luftës të vitit 1940 me shteitn shqiptar, si kundërpeshë e miratimit të varrezave greke , i faljes së 12 milje det shqiptar dhe i heshtjes së çështjes çame, është një gatishmëri për të realizuar qëllimet se përse është mbajtur në fuqi ai ligj deri më tash.

Ligji i luftës i vitit 1940 që Greqia kishte miratuar para 78 vitesh, ishte i drejtuar kundër çamëve, kundër të drejtës së tyre për të folur gjuhën shqipe, për ta deklaruar veten shqiptarë dhe për të gëzuar të gjitha të drejtat kombëtare dhe pronësore që u takojnë. Më tej ligji i luftës, në këtë mënyrë, ka qenë mbulesë  për gjenocidin që Greqia kishte bërë ndaj popullatës çame, dhe po ashtu edhe mbrojtje për akuzat që mund të bëheshin kundër shtetit grek edhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare.

Pranimi eventual i heqjes së ligjit të luftës, do të thotë se Greqia ka arritur që nëpërmjet kësaj Qeverie të blejë heshtjen e shtetit shqiptar për çështjen çame, kurse falja e 12 milje det, krijon pretekstin për lëshime të tjera në të mirë të Greqisë. Varrezat e pretenduara greke në shtetin shqiptar mund të bëhen vend pelegrinazhi dhe frymëzimi për shovenistët grekë kundrejt shqiptarëve.

Edhe pse kjo Qeveri, apo edhe kjo klasë politike në shtetin shqiptar ia mundëson Greqisë këto fitore, megjithatë duhet theksuar se çështja çame nuk është çështje as e një Qeverie, as e një klase politike, madje as e një brezi të kombit shqiptar, por është çështje e brezave që kanë qenë, që janë dhe që do të vijnë, dhe si e tillë nuk mund të heshtet, nuki mund të mbyllet dhe nuk mund të zhbëhet derisa nuk do të marrë zgjidhjen në bazë të të drejtës ndërkombëtare!

Është e qartë se pazaret e Edi Ramës me Alexis Tzipras-in e ndërlikojnë çështjen çame, ashtu siç endërlikojnë edhe pozitën ndërkombëtare të shqiptarëve, pasi që Athina mund t’i përdorë qoftë përball Senatit Amerikan ku është futur çështja çame, qoftë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, por edhe mund të mekë zërat afirmativë grekë që pranonin ekzistencën e çështjes çame dhe gjenocidin grek mbi çamët.

Prandaj është koha kur me çamët duhet të solidarizohemi të gjithë, kurse çështjen çame ta kemi çështje personale dhe kolektive në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Është koha për të thënë: Çamë jemi të gjithë ne! Edi Rama, larg duart nga çështja çame!