Në Malishevë: Dita Botërore e Tokës, aty-këtu u “fshehën” mbeturinat!

23.04.2018 16:48:06

Pamjet e disa “deponive” në Shkozë, më tepër se turp për banorët lokalë dhe për autoritetet kompetente komunale.

Nga: Jusuf Bytyçi

Anë e kënd Republikës së Kosovës, të dielën, diku më shumë e diku më pak është shënuar Dita Botërore e Tokës, me aktivitete, kryesisht për pastrimin e ambientit.

Grupe të shumta të punëtorëve të administratave komunale e aktivistë vullnetarësh, kanë shoqëruar aty-këtu kryetarët dhe autoritetet e komunave si dhe autoritete nga Qeveria e Kosovës, në aksionet vullnetare edhe për mbjelljen e fidanëve e luleve në qendrat e qyteteve e qytezave të tyre. Në portalet e ndryshme, apo edhe përmes rrjetit social facebook, kemi lexuar për organizime madhështore të kësaj dite, në komunën e Skënderajt, Gjilanit, Suharekës, Rahovecit etj.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Tokës, në Rahovec është organizuar edhe garë në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të shkollave të kësaj komune, ndërsa tri punimet më të mira kanë marrë mirënjohje nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Albena Reshitaj.

Në Rahovec, Dita Botërore e Tokës, është shënuar nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinor, me  moton “Një botë pa ndotje të plastikës”, me ç’rast ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj në një apel përë qytetarët ka thënë se “Kosova si vend në zhvillim mund të bëjë shumë për mbrojtjen e tokës. Por, ajo ka spikatur se kjo mund të arrihet, vetëm nëse shteti dhe shoqëria bashkojnë forcat.

“Jemi këtu bashkë me shumë studentë e nxënës, të cilët me idetë e tyre kreative na bëjnë të ndihemi të turpëruar nëse ne si institucione nuk punojmë me përkushtim për t’iu dhënë hapësirë dhe mundësi që të na ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit” ka thënë  ministrja Reshitaj në Rahovec. Ajo ka treguar për strategjinë e MMPH e cila parasheh veprime konkrete për mbrojtjen e tokës, siç është angazhimi për menaxhimin e mbeturinave. Ministrja Reshitaj ka përmendur si shembuj të mirë Mitrovicën dhe Suharekën, ku për dy ditë kanë arritur t’i asgjësojmë të gjitha deponitë ilegale. Për një mjedis të pastër është shprehur edhe kreu i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, pjesë e aktiviteteve në Ditën Botërore të Tokës.

Ministrja Reshitaj dhe kryetari i Rahovecit Latifi kanë mbjellë drunj dekorativ në parkun e qytetit për t’u bashkuar më pas në një aksion të pastrimit, bashkë me shumë vullnetarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Muaji prill, më parë shënohej me më shumë aktivitete për pastrimin e ambienteve nëpër komuna, nëpër shkolla, në kopshte, fshatra…

Por, ajo që ra në sy edhe këto 22 ditë të muajit prill, muajit të aksioneve, ishin “deponitë” e mbeturinave në Shkozë, të Malishevës, e para pikërisht pranë shkollës nëntëvjeçare të sfatit, ndërsa e dyta në një ambient qindra metra më larg, ku dkush që e ka shkatërruar ish-shkollën e fshatit, ka hedhur gjithë mbeturinat në nje lëndinë, të gjelbëruar, ku paraprakisht njerëz të pandërgjegjshëm kanë hedhur edhe mbeturinat e larguara nga shtëpitë e tyre para se të niste grumbullimi i tyre nga Kompania Rajonale “Ekoregjioni” në Malishevë.

Për këto “deponi” ilegale të cilat tregojnë shëmtinë e paparë në shekullin 21, fajtorë nuk janë vetëm autoritetet e komunës së Malishevës, por edhe banorët lokalë, që kanë heshtur përballë pamjeve që jo vetëm turpërojnë, por edhe rrzikojnë!

Legjenda: Pamjet që shëmtojnë edhe me ambientin!