Haradinaj flet për mungesën e Fatmir Limaj në raportimin e Thaçit për dialog

29.06.2018 17:02:19

Haradinaj në një konferencë për media u pyet për mungesën e zëvëndëskryeministrit, Fatmir Limaj në mbledhjen e Qeverisë në të cilin presidenti i vendit, Hashim Thaçi raportoi për mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë.

Me këtë rast Haradinaj ka thënë që nuk e di arsyjen e mungesës së Limajt, dhe ministrave të tjerë që vijnë nga radhët e Nisma-s.

Kreu i ekzekutivit i pyetur nëse ka qenë i njoftuar për këtë bojkot, theksoi se vendimi është marrë dje që presidenti të raportojë në Qeveri, prandaj nuk e din pse munguan.

“Nuk e di për besë se takimi është thirrur dje për sot, pra dje kemi marrë vendim. E pash që munguan disa ministra por ka raste kur mungojnë”, tha Haradinaj.

Ai me këtë rast shtoi se më shpesh rrinë mes vete ministrat e Nismës dhe PDK-së sesa me të.

“Nuk më ka thënë dikush diçka, po mendoj Sekretariati e bën ftesën, por s’kam pasur…Për besë iu kam thënë edhe një ditë ata komunikojnë shumë mirë mes veti dhe rrinë më shpesh mes veti se me mua”, u shpreh ai.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj bashkë me ministrat e partisë së tij, Skënder Reçica, Bajram Hasani dhe Shyqiri Bytyçi, munguan në mbledhjen e Qeverisë ku raportoi presidenti Hashim Thaçi rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.