Zogaj tregon arsyen e tërheqjes së nënshkrimit për seancën në rastin Dehari

15.11.2016 15:08:02

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bislim Zogaj, ndonëse fillimisht kishte dhënë nënshkrimin për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohej për vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, e ka tërhequr atë.

Arsyetimi, siç edhe mund të shihet në letrën e tij, është se ai dëshiron që paraprakisht të priten rezultatet e hetimit nga institucionet përkatëse, shkruan lajmi.net

“Deklaroj se me dt. 12.11.16 kam firmosë kërkesën e GP të VV-së, për mbajtjen e një Seance Plenare për sqarim lidhur me rastin. Mirëpo ju njoftoj se firma ime është për një seancë të Jashtëzakonshme për të cilën nuk jam i gatshëm, preferoj që paraprakisht të priten rezultatet e hetimit nga institucionet përkatëse”, shkruan në letrën e deputetit Zogaj.

Ndonëse fillimisht Lëvizja Vetëvendosje kishte mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës, në momentin e fundit, deputeti Bislim Zogaj nga PDK-ja e ka tërhequr nënshkrimin.

Astrit Dehari, aktivist i “Vetëvendosjes” vdiq të shtunën e kaluar më 5 nëntor në rrethana ende të pasqaruara.

Ai po mbahej i paraburgosur nën dyshimin për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

15050447_1320694067981838_224763989_n