Shkollat e kapura nga Shpend Ahmeti në Prishtinë

15.11.2016 15:14:12

Pavarësisht se kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti në kohë fushatash kishte premtuar jonepotizëm e jopolitizim nëpër institucione të ndryshme, ai e ka bërë pikërisht këtë, duke punësuar në institucionet arsimore në pozita të larta, anëtarë dhe njerëz të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje.

Drejtorët dhe zv.drejtorët e shkollave të Prishtinës kanë nisur të pastrohen nga administrata aktuale e Prishtinës. Ende ka konkurse të hapura për këto pozita, por lajmi.net ka mësuar që disa sosh janë zëvendësuar me njerëz të afërt të Shpend Ahmetit.

Xhevat Rafuna, para pak javësh është emëruar drejtor në shkollën fillore “Afrim Gashi” në Hajvali. Lajmi.net ka mësuar se i njëjti është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje pak para sa të emërohej drejtor. Aderimin dhe militantizmin e tij, Rafuna e ka shpalosur edhe në rrjetin social facebook.

xhevat-rafuna

Adrianë Makolli- Sadiku, para pak javësh është emëruar drejtoresh në SHFMU “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Lajmi.net ka gjetur që bashkëshorti i saj, Agron Sadiku është militant i Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Ilmi Reçica, fillimisht ishte caktuar UD i drejtorit të shkollës “Sami Frashëri II”, më pas është emëruar drejtor me konkurs të rregullt. Tash kjo shkollë bart emrin “Ahmet Krasniqi”. Në zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje – dega në Prishtinë, të cilat janë mbajtur para pak javësh, Reçica është emëruar anëtar i kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Kjo ishte bërë e ditur në një kumtesë për media nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

Komuna e Prishtinës ka shpallur konkurs që në muajin prill të këtij viti për të emëruar një drejtor të ri në Gjimnazin “Sami Frashëri”, por ka dështuar në disa iniciativa. Drejtori aktual i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Osman Beka, ka konkurruar për këtë pozitë, por para pak ditëve ka thënë që nuk është përzgjedhur nga Komuna ngase nuk është pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Beka për lajmi.net ka thënë se këtë ia tha para syve e para e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci.

Gati të gjitha shkollat në Prishtinë janë kompletuar me staf udhëheqës. Më 13 shtator zv.drejtor në shkollën “Meto Bajraktari” është emëruar Nijazi Ukshini. Lajmi.net ka mësuar se Ukshini deri më tani ka qenë kryetar i një nëndege të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Ndërkaq, Festa Shabani, është përzgjedhur me konkurs të rregullt mësuese e gjuhës angleze në Shkollën fillore “Hilmi Rakovica”. Ajo  është e fejuara e zyrtarit të VV-së, Adonis Tahiri. Njëherësh, Tahiri ka disa muaj që mban post politik në Komunën e Prishtinës. Është këshilltar i drejtorit të Inspektoratit të Prishtinës, Sali Zyba.

Ndërsa, Suzana Konjufca është gruaja e axhës së deputetit Glauk Konjufca dhe është emëruar arsimtare për matematikë në shkollën fillore “Hasan Prishtina”. Dyshohet edhe për disa drejtorë tjerë që janë pjesë e VV-së, por lajmi.net nuk ua ka publikuar emrin, pasi nuk ka mundur t’i verifikojë saktë emrat e tyre.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, aktualisht është duke i shqyrtuar disa ankesa të kandidatëve për drejtorë të shkollave të cilët po pretendojnë që është bërë shkelje e konkursit në disa raste gjatë emërimeve të drejtorëve dhe zv. drejtorëve.