Kosova me marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave për përmbytjet

15.11.2016 15:19:16

Institutet Hidro-meteorologjike të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë nënshkruan në Prizren një Memorandum Mirëkuptimi për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me qëllim përmirësimin e paralajmërimit të hershëm të popullsisë në rast përmbytjesh.

Me anë të pajisjeve moderne u kryen matjet e prurjeve të lumit Drin në vendin e quajtur “Gryka e Prizrenit”, dhe këto të dhëna do të shkëmbehen mes vendeve në kohë reale për të pasur një informacion më të detajuar dhe të thelluar mbi situatat e reshjeve apo përmbytjeve.

Kryeshefi i Agjencisë së Mbrojtejs së Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina në fjalën e tij të mirëseardhjes për të pranishmit u shpreh se ky takim është mjaft i rëndësishëm sepse të gjitha vendet e rajonit janë bashkë. Më tej Morina shtoi se është shumë mirënjohës ndaj përkrahjes së GIZ-it në bashkëpunimin rajonal.

Katër vitet e ardhshme synohet të krijohet rrjeti rajonal, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave të përbashkëta. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtorët e Instituteve Hidrometeorologjike, përkatësisht nga LetafeteLatifi, Fatos Hoxhaj, Luka Mitrović dhe Oliver Romevski. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, Gerrit Bodenbender.

Me këtë rast Bodenbender se, “Situata e javës së kaluar tregon se ajo çfarë po bëjmë sot është shumë e rëndësishme sepse ka impakt të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. Gjithashtu përmbytjet treguan sa të rëndësishme janë institucionet tuaja. Me mbështetjen e këtij projekti, institutet hidro-meteorologjike të katër vendeve do të vazhdojnë të përmirësojnë parashikimin e përmbytjeve në rajon. Shkëmbimi në kohë reale e të dhënave, kombinuar me harta të detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet dhe modelin hidrologjik të basenit të lumit Drin, do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret nga katër vendet”.