Sërish Ronaldo, Portugalia mposht me vështirësi Marokun

20.06.2018 17:10:40

Pas barazimit fantastik me Spanjën, Portugalia hedh një hap të sigurt drejt fazës tjetër të Botërorit, duke mundur Marokun 1-0 me gol të Cristiano Ronaldos që në minuten e 4-t.

5 herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi golin e vetëm të Përfaqësueses Luzitane në përballjen e dytë në Grupin B ndaj Marokut, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit, teksa në ndeshjen e tretë formacioni i Fernando Santos do të përballet me Iranin.

Në “Luzhniki” të Moskës u luajt një nga takimet më të luftura dhe me më shumë ritëm të këtij Botërori, por finalizimi me kokë i CR7 që në minutën e 4-t rezultoi vendimtar në përcaktimin e fituesit.

Më këtë gol Ronaldo bëhet lojtari i dytë i përfaqësues së Portugalisë që shënon të paktën 4 gola në Botëror, pas të famshmit Eusebio në Kupën e Botës së vitit 1966.

Ronaldo bëhet gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë në rang kombëtaresh me 85 gola, 1 më shumë se hungarezi legjendar Ferenc Puskas, ndërsa kryeson listën Ali Daei i Iranit me 109 gola.