Juventus nuk njeh pengesa, fiton edhe ndaj Cagliari-t

12.02.2017 22:44:20

Sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain, nuk fal dhe Juventus marshon drejt titullit të gjashtë radhazi në Serie A. Bardhezinjtë e Allegri kanë fituar 2-0 në fushën e Cagliari dhe pasi janë luajtur 24 nga 38 javët e kampionatit italian kryesojnë me shtatë pikë avantazh nga Roma e vendit të dytë dhe +9 pikë nga Napoli, që renditet i treti.

Pas një fillimi jo të mirë të lojës, Juventus u përmirësua gradualisht dhe shënoi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë kur Claudio Marchisio lëshoi Higuain, i cili përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes së Cagliari dhe mposhti portierin vendas Rafael. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për “Zonjën e Vjetër”.

Sapo nisi pjesa e dytë, Gonzalo Higuain tundi rrjetën për herë të dytë, këtë herë me një goditje diagonale, pas pasimit të marrë nga Paulo Dybala. Ky ishte goli i 18-të në këtë edicion të “Serie A” për “El Pippita”, që ndan kreun e “bomberave” të Serie A me Edin Dzeko të Roma. Cagliari luajti me 10 futbollistë në 20 minutat e fundit, pas kartonit të kuq të marrë nga Barella. Kjo ishte fitorja e 20-të për Juventus në këtë kampionat.