Qëndrimi në qelitë e paraburgimit vë në rrezik jetën e Elion Hatos.
Ai duhet të mbahet në ambjentet e një spitali civil, ku mund të marrë shërbim të specializuar. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, për gjendjen e Hatos, një prej të plagosurve në masakrën e ish-bllokut mbrëmjen e 4 tetorit.
I paraburgosuri i është drejtuar gjykatës së Tiranës me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, pasi kërkon të trasferohet në një spital në Turqi, ku mund të kryejë një ndërhyrje për heqjen e tre plumbave që ka në trup.
Gjykatësi Artan Gjermeni e ka administruar në dosje ekspertizën mjekoligjore, por ende nuk ka dalë me një vendim. Kjo për faktin se prokurorët kanë kërkuar kohë për ta shqyrtuar ekspertizën që të mbajnë qëndrimin e tyre pro apo kundër kërkesës së të paraburgosurit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ish bllokut, prokuroria ka administruar në dosje provën e radhës.
Bëhet fjalë për ekspertizën e telefonit të viktimës, Fabian Gaxha, i cili ishte pjesë e grupit të biznesmenit Ervis Martinaj. Burime të News24 nga prokuroria thanë se në aparatin celular janë zbuluar disa komunikime në Whats Up mes Gaxhës dhe Elion Hatos.
Me screen-shotin e një mesazhi të ardhur në telefonin e tij, dërguesin e të cilit është duke e hetuar prokuroria, Hato i ka kërkuar gaxhës të vijë menjëherë në lokal Monopol i pajisur me armë.