Veseli: Janë ide të çoroditura e nga njerëz të padijshëm të besohet se SHBA-të do ta rrezikojnë Kosovën

01.03.2019 14:27:20

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur pas mbledhjes së Kryesisë.

Duke folur për taksën, Veseli ka thënë se çdo kërkesë e SHBA-ve duhet të jetë edhe kërkesë e Kosovës.

Ai tha se nuk duhet të dramatizohet situata dhe në këtë mënyrë të krijohen kundërthënie që nuk i shërbejnë askujt.

” Më datën 5, 6 dhe 7 mars i kemi tri seanca ku njëra prej tyre është solemne më rastin e epopesë. E kam taku këtë delegacion në shtëpinë e Bardh dhe çdo kërkesë e SHBA-së duhet të jetë edhe e Kosovës. Nuk duhet ta dramatizojmë situatën dhe të gjitha kundërthëniet duhet të shërbejnë në Bisedime më Serbin e jo për konsum ditor brendshëm. Na përball e kemi Amerikën e jo Serbinë. Nuk është mirë që për konsum të brendshëm të dëmtohen raportet më miqtë tanë” ka thënë Veseli.

Veseli tutje tha se Kosova e ka bërë veprimin e saj administrative me vendosjen e taksës, por se sipas tij me dialogun duhet të kushtohet shumë kujdes.

“Ne e kemi bërë veprimin administrativ ndaj Serbisë por në raportin e dialogut ne duhet të jemi serioz ndërsa në raport më Amerikën duhet të jemi edhe të mençur. Janë ide të çoroditura nëse dikush mendon të thotë diçka për Amerikën dhe nuk janë njerëz të mençur ata që venë në pikëpyetje ndaj raporteve me Amerikën dhe çështjen e Bonstilit. Na i kemi aleat Amerikën dhe trupat e tyre dhe jo Rudin”, tha Veseli.

Ndërkaq, dy seanca të jashtëzakonshme janë planifikuar të mbahen më 5 dhe 6 mars.