Policia në Francë ka ndaluar një çift tjetër në lidhje me një makinë me gjashtë bombola gazi që u zbuluan të dielën afër katedrales së Notre Damës në Paris.
Dy persona të tjerë që kanë lidhje me grupe radikale islamike u arrestuan të martën në Francën jugore.
Autoritetet u njoftuan për makinën e braktisur, pa targa, nga punonjësi i një bari, i cili kur po kalonte pranë, pa se në sediljen e pasme të makinës kishte bombola gazi.
Policia e ndaloi të martën pronarin e makinës, i cili ishte në radarin e autoriteteve për lidhje me organizata radikale islamike. Por ai u lirua më pas. Policia është ende në kërkim të vajzës së tij, për t’u marrë në pyetje.
Pas kontrollit, policia thotë se nuk ka gjetur ndonjë mjet për aktivizimin e shpërthimit.
Autoritetet franceze janë në gjendje gatishmërie të lartë për rrezikun e akteve terroriste, pas incidenteve të vitit të fundit që kanë lënë mbi 200 të vdekur.