Koronavirusi ‘mbërthen’ Europën, Presidentja e KE del me deklaratë të fortë për mbylljen e kufijve dhe paralajmëron: Do ketë pasoja!

13.03.2020 23:22:35

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka dalë kundër mbylljes së kufijve, vendosur nga disa vende të BE-së për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

“Ndalimet e udhëtimit të përgjithshëm nuk janë konsideruar si shumë efikase nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaroi shefja e ekzekutivit europian në një konference shtypi.

“Përveç kësaj, ato kanë pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, ato prishin jetën e njerëzve dhe të bizneseve,” shtoi ajo duke nënvizuar se të gjitha masat duhet të jenë proporcionale.

Drejtuesja gjermane kërkoi masa të kontrolleve sanitare.

“Këto mund të ndodhin në kufijtë e jashtëm të BE-së ose të brendshëm, ose në territorin e shteteve anëtare”, theksoi ajo.

Rekomandimet e BE për këtë çështje do t’i prezantohen 27 ministrave të Brendshëm, të mbledhur sot në Bruksel.