9 muaj pas tërmetit banorët ende në rrugë/ Ja çfarë po ndodh në Thumanë e Laç

23.08.2020 18:37:04

9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit plagët janë ende të hapura për banorët e Thumanës. Nisja nga puna për ndërtimin e infrastrukturës urbane në këtë shesh, ku do te ndërtohen shtëpitë, private, është një lajm i mirë që ka ringjallur shpresën për këtë komunitet.

Paraditen e kësaj të diele e vetmja shenjë se në Thumanë është duke u punuar janë një grup punëtorësh të përfshirë në ndërtimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza.

Këto punime janë financuar nga Fondi Shqiptarë i Zhvillimit dhe kompania ka një afat 5 mujor për të përmbyllur këtë fazë, e cila do të pasojë me hapjen e themeleve të më shumë se 300 banesave private.

Mesazhi ishte i qartë. Të fitohet koha e humbur e bllokimit të punimeve prej Covid-19. Ishte presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili njoftoi ndërtimin e 500 banesave individuale në Laç.

Qeveria shqiptare, një ditë më parë njoftoi nisjen e punimeve për ndërtimin e këtyre banesave. Realizimi i projektit do të kryhet nga kompania turke e ndërtimit Allbajrak Inshat, dega Shqipëri në një hapësirë prej 72.000 metra katrorë.

Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 360 ditë. Faza e parë parashikon gërmimet 6.5m nën nivelin e rrugës dhe i gjithë konstruksioni banesave do të jetë armaturë beton dhe tullë.

Pas Thumanës dhe Laçit, kryeministri Edi Rama thotë se së shpejti hapen kantieret  edhe në Durrës, me lagjen e re në Spitallë dhe pallatet e reja në pikat e ndryshme të qytetit, ku u shembën të vjetrit. Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjioze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet.