Hoti pas zhvillimeve të fundit me Specialen: Duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve të vendit

06.11.2020 10:49:45

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës tha se pas dorëheqjes së Presidentit të vendit, Hashim Thaçi nga posti i tij, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve të vendit dhe se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Kuvendin e Kosovës.

Hoti tha se Qeveria është e gatshme për bashkëpunim me bartësit e institucioneve dhe me faktorin ndërkombëtar dhe pret që të gjithë të dëshmojnë kulturë të lartë politike.

“Duhet të tregojmë urtësi e vizion për të dalë nga kjo situatë. Jam i bindur që do të dalim faqebardhë para botës. Qeveria e Kosovës vlerëson që në situatën e krijuar, me dorëheqjen e Presidentit, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve. Qeveria do të bashkëpunoj me të gjithë bartësit e institucioneve dhe faktorin ndërkombëtar. Ne do të bashkëpunojmë me Kuvendin e Kosovës, dhe partitë përfaqësuese në Kuvend. Qeveria pret nga të gjithë të vazhdojnë të dëshmojnë kulturë të lartë politike”, tha Hoti.

Hoti tha se populli i Kosovës ka luftuar për tu mbrojtur dhe në oborrin e vet, ndërsa agresori ka qenë Serbia.

Ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi me organet e drejtësisë.

“Gjithë këto zhvillime e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë. Më lejoni të vlerësojë gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me drejtësinë. Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të tërhiqet vetëm nga profesionalizmi, do të dëshmohet që lufta ka qenë e drejtë dhe e pastër. Populli luftoi për liri, pavarësi. Populli i Kosovës nuk luftoi në tokë të huaj por në oborrin e vet. Agresori ishte Serbia, nga ushtria militare e paramilitare të cilën e dënoi bota e civilizuar”, u shpreh Hoti.