Dhembja jote, Fjollë
si s’e shqyen atë kupë të qiellit?!
Dhembja jote
si s’i shuan të gjithë yjet
që si vezullima gëzimesh
natën vonë ndriçojnë?!
Dhembja jote
atë tophëne qysh s’e vret!?
Përse dhembja,
Fjollë, bi moj,
nuk po bëhet plaf i errtë
atë dritëdielli ta mbulojë?!
Tek atëherë
mbase mendja dikujt do i thot
se kudo në këtë botë
ka duar të vogla
ka duar të pafuqishme
ka duar të pafajshme,
nuk mund të vishen,
nuk mund të ushqehen
as ta mbrojnë
brishtësinë e pafajësisë.
Fjollë, sa herë të kam thënë
nuk je e vetmja në botë
që nga smundja lëngon
s’je e vetmja që rënkon…
Voglushja ime
pa faj bota ka plotë si ti,
Botë me pamundësi!
Fjollë, bija e mamit,
ti s’ecë,
ti s’flet,
ti qanë.
Herëherë ti falë buzëqeshje,
ngrihesh mbi dhembjet
e na dhuron dashuri
ti e din
se dashuria botën gjallë e mban,
o fati im nyjelidhur,
Fjollë, o loti im i valë!
Kur loti rrokulliset
mollëzave tua smeralde
mbi dorën time
shkruan vargun pa metaforë,
vargun pa rimë,
shkruan vargun e lotit
që një ditë, voglushja ime
ndërgjegjen njerëzimit
do t’ua zgjon
për duart tuaja të brishta
që mirësi kërkojnë…
Kur loti yt rrokulliset,
zemra ime
s’ka si të mos nxjerrë
vargun e trishtuar
që ditën e lidhë nyje.
S’ka gëzim kur ti rënkon
Voglushja ime
qajmë unë e ti
bota të mos na gënjen
Aty ku nga dhembja
lëshon lot një fëmi
nuk ka lumturi, –
ka veç pamundësi.
10.4.2021