Autori i cili dy ditë më parë terrorizoi banorët e kryeqytetit pasi hyri në sheshin “Skënderbej” me shpejtësi me një automjet duke tentuar të shtypë qytetarët, pritet të përballet me tre akuza. Më konkretisht, i riu pritet të përballet me akuzat për “Tentativë vrasje në rrethana cilësuese”, “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”. Sakaq mësohet se nga testi i alkoolit ka rezultuar zero. Ndërsa, akoma nuk ka dalë përgjigja e analizës në gjak për të parë se sa ka qenë % e lëndës narkotike që ka konsumuar. Ndër të tjera mësohet se nga kontrolli që është bërë në banesën e 32-vjeçarit të arrestuar nuk është gjetur asnjë gjë e jashtëligjshme. Pas terrorit me mjet në shesh, i riu u neutralizua nga një qytetar që bëri një veprim heroik. Ka qenë 22-vjeçari, i identifikuar si Klodian Elqeni, ai i cili iu afrua automjetit të agresorit dhe e goditi atë me shqelm në fytyrë, ndërsa tha për mediat se e bëri këtë veprim pasi mendoi se bëhej fjalë për një akt terrorist. Më pas ka ndërhyrë edhe një qytetar tjetër, i cili së bashku me 22-vjeçarin, e mbajtën të bllokuar agresorin deri në mbërritjen e policisë. Sipas Policisë, rezulton se agresori ishte në gjendje shumë të dehur dhe i droguar, pasi në automjet janë gjetur edhe disa doza lënde narkotike, ndërsa para se të futej në shesh, ai ka përplasur edhe disa automjete të tjera. Pas ngjarjes, dy të rinjtë që shmangën tragjedinë e mundshme, janë pritur në selinë e Partisë Socialiste nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. I riu u fut me makinë në sheshin “Skënderbej” duke bërë veprime të pakontrolluara. Mësohet se ai ka deklaruar se ishte nisur për të votuar dhe ka kaluar nga zona e parkut ku ka marrë 5 gramë kanabis në dy qese farmaceutike. Mema është shprehur se një pjesë prej tyre i ka pirë dhe pastaj shton se nuk e ka kuptuar si ka ndodhur ngjarja. “Dola nga shtëpia dhe para se të shkoja për të votuar, kalova te zona e parkut. Aty mora 5 gram kanabis në dy qese farmaceutike. Një pjesë e piva. Nuk e di as vetë si ndodhi sepse nuk po kuptoja asgjë. Isha në Yzberisht dhe aty më doli një makinë para e përplasa”, ka thënë ai mes të tjerash. Sakaq efektivët e Antiterrorit do të këqyrin vendngjarjen dhe banesën e tij në Kombinat pasi ai rezulton me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike. Mema po hetohet për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”.
Ja si ndodhi ngjarja
Klodjan Elqeni i riu që ka neutralizuar A. Memën 32 vjeç nga Kombinati, i cili tentoi të shtypë me makinë qytetarët në sheshin “Skënderbej” ka treguar si ndodhi ngjarja duke thënë se në fillim mendoi se kemi të bëjmë me akt terrorist. Teksa ka thënë se 32-vjeçari iu vërsul njerëzve, shtoi se ka ndërhyrë duke e qëlluar me dy këmbë në fytyrë nga xhami i makinës. Elqeni tha se merret prej kohësh me stërvitje. “Mendova që është akt terrorist. U frikësuam ndalëm njerëzit, por ai u vërsul drejt njerëzve, pasi u ndalua makina u afruam për të parë çfarë ndodhi. Ai ndaloi në mes të sheshit, e ktheu makinën i erdhën disa persona afër dhe se ndalën dot, pastaj u vërsul drejt njerëzve. Nuk e di se çfarë mendonte por thjesht mu duk shumë e rrezikshme mënyra si ecte. Mu duk shumë e rrezikshme dhe e vetmja formë ishte ti hyja përmes dritares. Unë gjithë jetën time jam marrë me stërvitje. Më ndihmuan qytetarët pastaj pasi e qëllova se isha me dy këmbët në makinë. Pasi i rashë me këmbë në fytyrë, pas goditjes që mori ai s’foli fare. Se njoh fare kush është”, shtoi ai.






































