Akuza e kundërakuza edhe mes Frashër Krasniqit e Andin Hotit

05.08.2017 21:52:52

Debatit të ashpër mes aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës, u janë “bashkuar” edhe deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, dhe ai i PDK-së, Andin Hoti.
Debati mes tyre nisi kur Krasniqi, përmes një postimi në Facebook tha se Andini duhet t’ia citojë kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, thënien e babait të tij, Ukshin Hotit: “Politikanët e Kosovës duhet të zhvillojnë luftë parimore për pozitën e Kosovës dhe jo për pozitën e tyre në Kosovë.”

“Është shumë dëshpëruese gjendja e Andin Hotit. Me e pasë babë intelektualin më të madh shqiptar, Ukshin Hotin, e me ra në deregje që idoll me e pasë kriminelin më të madh në Kosovë, Kadri Veselin – nuk ka ku shkon ma poshtë.

Me e pasë babë intelektualin më të madh shqiptar, Ukshin Hotin, e me i dal në krah Blerand Stavilecit që e ka zhytë në korrupsion secilën ministri që e ka drejtu, është dëshpërim i madh. Blerand Stavilecin që mendon se fëmijë duhet të lindin vetëm ata që kanë pasuri.

Mirëpo, për dallim prej Blerandit që veç skuqet e shpifë, Andini e paska pranu që Dardani po i djegë fort Klanit Pronto :).

Andin, tregoja të lutem Kadri Veselit, i cili për pozitë të vetën personale e ka bllokuar gjithë jetën institucionale, këtë thënie të Ukshin Hotit: “Politikanët e Kosovës duhet të zhvillojnë luftë parimore për poziten e Kosovës dhe jo për poziten e tyre në Kosovë” (sic.), ka shkruar Krasniqi.

Në kundërpërgjigjen e tij, Andin Hoti thotë se Krasniqi është veç një njeri me aktakuzë për terrorizëm.

“Ukshin Hoti: ‘Liria nuk është për qyqarët dhe as për frikacakët’! Ideali im është Liria dhe çlirimtarët si pararojë e saj janë idoli im i përjetshëm! Asnjëherë s’do të jenë ata që i akuzojnë çlirimtarët dhe abuzojnë me Lirinë! E kur flet, po e përsëris, kur flet për krimin një njeri me aktakuzë për terrorizëm, më shumë s’ka çka flitet e thuhet. Zot, ruaje vendin tim nga të ligët dhe qyqarët!” (sic.), ka shkruar Hoti. /Telegrafi/