Lirikave të shpirtit/ Vargje nga Dije LOHAJ

14.05.2021 19:27:07
LIRIKAVE TË SHPIRTIT
Të qeshin nëpër lirika shpirt, Sa dashuria,
Sa fati,
E takimeve bien aromë trëndafili,
Me gjemba që të shpojnë,
Të shpojnë që ta ndjesh
Më shumë dhimbjen,
Mungesën e dashurisë,
Po aq peshën e fatit,
Tek oh-et e uh-et,
Të shpojnë zemrën,
Të esëllojnë keq,
Kur zgjohesh nga pagjumësia,
E lan mëkatet
Në gurrën e ftohtë të lotëve…
Të qajnë nëpër lirika shpirt,
Sa dashuria,
Sa fati,
Tek sythet s’dëgjohen,
Kur dalin nëpër lulëmollë,
Kësaj pranvere të penduar,
E skuqen degëve qetësisht buzëqeshjet
Nëpër shtigjet e tiktakeve të takimeve.
Dashuria ime e mbetur shkret!
Fati im i lidhur nyjë!
Të kurthëruara bashkë jeni,
Nëpër grykën e kohës së keqe,
Ku më qeshni,
Ku më qani,
E nëpër lirika,
Pritni sythe lulëmolle,
Të mos dalë pranvera sivjet.