Kandidojnë në zgjedhje, duke plotësuar formularët, duke bërë deklarime, duke harxhuar kohë, energji dhe para dhe në fund…..rezultojnë me 0, 1, 2, 3, 4, 5 vota! Nuk janë 1-2 emra por janë 612 kandidatë me vetëm 0-5 vota, në total 33% e të gjithë kandidatëve në zgjedhje. A ka sens të quhet garë elektorale dhe të quhen parti politike kur një e treta (33%) e kandidatëve marrin 0 deri në 5 vota në një numër total prej 1.6 milionë votuesish.
Shifra të tilla tregojnë se shumica e subjekteve politike janë informale, janë fiktive, kryetarët e disa partive në fakt janë gjeneralë të një ushtrie që nuk eksiton, disa prej atyre që kanë zënë hapësirën publike e mediatike nuk përfaqësojnë asgjë përtej vetes së tyre, ndërkohë që edhe zyrtarisht, sipas KQZ, një e treta e kandidatëve janë ose fiktivë ose nuk përfaqësojnë asgjë.
Tabela tregon se ka dallime thelbësore midis Shqipëria politike reale dhe Shqipërisë politike virtuale dhe se shoqëria shqiptare vijon të ushqejë një piramidë përfaqësimi korruptive dhe “fake” në ide, vlera dhe legjitimitet.
Dhe një sistem fiktiv përfaqësimi nuk mund të na prodhojë një demokraci funksionale.
Nga ana tjetër, kur thuhet se 85 kandidatë kanë 0 vota, nuk është e dhënë që të bën të qeshësh me “dështimin” e tjetrit, por një e dhënë që vlen të analizohet: a ka individ në një shoqëri që kandidon për deputet dhe nuk voton për veten dhe a ka individ në një shoqëri që kandidon për deputet dhe nuk ka së paku një anëtar familjeje, në mik, një përfaqësues në QV që nuk voton për të? E njëjta vlen edhe për ata me 1, 2 apo 3 vota!

Si është e mundur që për të kandiduar në zgjedhje disa parti apo kandidatë të pavarur mbledhin 3-10 mijë firma, por ama nuk marrin më shumë se 1 mijë vota në zgjedhje? Si është e mundur që në 1840 kandidatë, vetëm 18 morën mbi 10 mijë vota, pragu për votën e parapëlqyer? Por në Shqipëri sekreti i vetëm shtetëror vijon të jetë kutia e votimit, – gjithçka mund të dalë në publik, database me të dhënat tona personale, thesari i shtetit, dosjet e hetimit në Prokurori, por ama nuk lejohet hapja e leximi i kutive të votimit!
U hapen ca kuti në Berat dhe doli se të gjithë kishin cenuar votën, por u mbyllën pa padi dhe hetim për shkeljen e ligjit. Ato mbrohen konsensualisht! Reforma, reforma. Të gjithë flasin prej dekadash për reforma, por në fakt reforma reale që ende mungon është ajo mbi sistemin përfaqësues, mbi legjislacionin e partive politike, mbi financimin elektoral dhe mbi raportin ende parademokratik midis partive dhe shtetit!








































