LDK në shënjestër të “Shënjestra LDK”

01.11.2016 18:57:25

Nga Rexhep Kastrati

Emisioni “Shënjestra LDK” nuk është emisioni parë që u paralajmërua me bujë dhe me një muzikë si në filmat artistikë: të gjithë emisionit e prodhimit të Express, janë paralajmëruar me bujë dhe me muzikë si në filmat artistikë, dhe janë ndërtuar si filma artistikë. Po i përmendi vetëm “Shtabin e milionerëve”, “Portret i paautorizuar i Isa Mustafës”, “Shënjstra LDK”. I përmenda vetëm këta tre, sepse mjaftojnë për të argumentuar faktin se orientimi i Express dhe i emisioneve që prodhon, është kundër LDK-së. Ta marrim shembull emisionin “Shtabi i milionerëve”, i cili u mendua se goditi komadantët, por me t’u arrestuar Azem syla dhe grupi i tij, Berat Buzhala u nervozua dhe pat bërë shurmë dhe pat thënë gjithçka pse kryeministri Mustafa dhe LDk nuk shpreheshin. Arsyet pse u soll ashtu, i di Berati,e ndoshta edhe baba i tij, Bashori, por vërtet ishte një reagim histerik i pashembullt edhe në këtë gazetari prostitutë që është te ne. Pra: emsioni ishte gjoja për të goditur komandantët e bërë milionerë, pra edhe Azem Sylën, kurse kur arrestohet ky  fundit, Berati bëhet nervoz dhe nuk i drejtohet dikujt tjetër, por kryeministrit Mustafa dhe LDK-së. Çfarë lidhje kishin këta me arrestimin e Azem Sylës. Emisioni “Portret i paautorizuar i Isa Mustafës”, ishte tërësisht një emision për të goditur hapur kryeministrin Mustafa në bazë të një montazhi të disa momenteve që mund të mos kishin lidhje me njëri-tjetrin.  Emisioni i fundit, pra emisioni “Shënjestra LDK”, që u paralajmërua me bujë, në fakt doli të jetë emision që kishte vënë në shënjestër LDK-në, duke filluar nga presidenti Rugova. Pse po e them këtë?

  1. Emisioni në fillim jep pamje të presidentit Rugova dhe kujton një deklaratë të tij të vitit 1997 lidhur me informacionet e para për UÇK-në, e cila ishte interpretuar në mënyra të ndryshme, edhe pse vetë deklarata e presdientit Rugova ishte shumë e thjeshtë dhe e qartë: UÇK ndoshta mund të jetë lojë serbe. Dhe sipas këtij emisoni, baza e vrasjes së veprimtarëve të LDK-së është këtu. Kjo do të thotë se baza e armiqësisë së UÇK – LDK është presidenti Rugova, duke e bërë në një farë mënyre alibinë e vrasjeve politike. Është e pabesueshme se Ali Ukajn e kanë vrarë për shkak të deklaratës së presidentit Rugova, ose Ismet Rracin, ose Ukë Bytyçin, ose Smajl Hajdarajn, ose kolonel Ahmet Krasniqin, ose Xhemail Mustafën, ose Enver Malokun, ose Bekim Kastratin, ose Besim Dajakun, ose kanë synuar ta vrasin Fetah Rudin, ose Shefki popovën, ose Bardhyl Ajetin dhe shumë të tjerë, sepse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë vetë pjesëtarë të UÇK-së. Po ashtu, e vërteta është se pas strukturimit dhe daljes publike të UÇK-së, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe presidetin Rugova dhe Kuvendi i Kosovës e kanë njohur UÇK-më si formacion ushtarak shtetëror. Po ashtu, kolonel Ahmet Krasniqi në emër të Minsitrisë së Mbrojtes së Republikës së Kosovës ishte marrë vesh me Adem Demaçin që të unfikohen forcat e institucionale dhe at të tjerëve. Edhe në Rambuje, presidenti Rugova ishte pajtuar që Hashim Thaçi të ishte drejtues i delegacionit të Kosovës, si dhe ishte marr vesh për krijimin e një Qeverie të përbashkët me kryeministër nga radhët e UÇK-së. Edhe në Hagë, presidenti Rugova i kishte bërë një mbrojtje shumë të fortë pjesëtarëve të UÇK-së. Dhe para gjithë këtyre, kur është vrarë Adem Jashari me familje, presidenti Rugova kishte shpallë tri ditë zie. Megjithatë, vrasjet politike ndodhnin, duke bërë të qartë se baza e vrasjeve politike nuk është te deklarata e presidentit Rugova, e cila nga konteskti aktual, edhe të deklaratave që po i bëjnë vetë ndaj njëri-tjetrit, po del se ka qenë shumë e butë. Në anën tjetër, janë bërë edhe vrasje të ndryshme brenda llojit, të cilat kanë mbetur të pazbardhura,sikurse edhe vrasjet ndaj veprimtarëve të LDK-së, për të cilët nuk mund të thuhet se ka ndikuar deklarata e presidentit Rugova. Pra, paraqitja e vrasjeve të personaliteveve të ndryshme politike të LDK-së dhe të linjës institucionaliste si pasojë e deklaratës së presidentit Rugova, e që ka qenë pika e parë e shënjestrës ndaj presidentit Rugova dhe ndaj LDK-së, është absolutisht e qëndrueshme.
  2. Pika tjetër e shënjestrës ndaj LDK-së, lidhet me faktin se në emision janë montuar momente intervistash dhe deklaratash  të kryeministrit Mustafa të nxjerra nga konteksti, për të forcuar atë perceptimin se kryeministri Mustafa ka bërë koalicion me ata që kanë kryer vrasje politike. Kështu, në njërën anë thotë se vasjet politike kanë ndodhur për shkak të deklaratës së presidentit Rugova kundër UÇK-së, pra fajet i ka pasur presidenti Rugova për deklaratën e dhënë, por po ashtu ka faj edhe kryeministri Mustafa që ka bërë koalicion me ata që paskan vrarë veprimtarë të LDK-së! Pra, kështu shihet vazhdimësia e fajësimit të drejtuesve të LDK-së, dhe në një farë mënyre krijimi i alibisë për vrasjet. Por këtu ka një problem: duke e forcuar perceptimin se kryeministri Mustafa ka bërë koalicion me ata që kanë vrarë veprimtarë të LDK-së, ky emision ka përcjellë mesazhin se ata që kanë vrarë janë PDK dhe Hashim Thaçi. Dhe nëse është kështu, pse Berati u bë kuvendar i kësaj partie pikërisht në kohën kur Hashim Thaçi u bë kryeministër?
  3. LDK është vënë në shënjestër nga ky emision, dëshmon edhe fakti se emri i vetëm që nuk u përmend thuasje fare, është emri i Kadri Veselit. Përveç Sabit Gecit, i cili emrin e Kadri Veselit e ka përmendur bashkë me emrat tjerë që i ka pasur në akuzë, askush tjetër nuk e ka përmendur emrin e tij. As Doruntina, as Beriana, as Shpetimi, as Imeri nuk e kanë përmendur fare emrin e Kadri Veselit. Unë e kuptoj Doruntinën, Berianën dhe Shpetimin se si fëmijë personalitetesh të rëndësishme për politikën dhe luftën, janë munduar të jenë më të kujdesshëm përballë heshtjes shumëvjeçare të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, por Imer Imeri, i cili aq shumë akuza ngriti ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Xhavit Halitit, dhe nuk e përmendi fare Kadri Veselin. Pse vallë? A thua kadri Veseli nuk ka pëergjegjësi sipas tij për vrasjet politike? A nuk ishte ai shef i SHIK-ut? A e kanë këshilluar gecët e Llaushës, jaraninë me të cilët e ka deklaruar vetë, apo Berat Buzhala, që edhe publikisht e ka deklaruar jaraninë me Kadri Veselin?
  4. Fakti se Imer Imeri ka folur më shumë se gjithë të tjerët, dhe kur kësaj i shtohet edhe koha që ka folur Gani Geci, del se këta dy kanë pasur afërsisht më tepër se 1/3 e kohës, është dëshmi se ky emision në shënjestër e ka pasur LDK-në dhe kryeministrin Mustafa. Dhënia e një hapësire kaq të madhe televizive dy personave të njohur për qasje kundër kryeministrit Mustafa, ndërkohë që nuk janë marr deklarata as nga familjarë të Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut, tregon për një synim për afirmimin e kundërshtarëve të kryeministrit Mustafa. Këtë e forcon edhe fakti se nën informatat e paplota për vrasjen e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, nuk ka qenë fotoja e asnjërit prej tyre, por fotoja e Gani Gecit.
  5. Fakti se emisioni përmbyllet me nënshktrimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës ndërmjet Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, dëshmon se qëllimi ka qenë që të përdoren vrasjet politike si mjet për të goditur koalicionin aktual qeverisës, edhe pse marrëveshja ishte marrëveshje për qeverisje të vendit, e jo për të amnistuar dikë nga përgjegjësia për vrasje politike.
  6. I nisur si emision me rikujtimin e deklaratës së presidentit Rugova për UÇK-në dhe i mbyllur me nënshrimin e marrëveshjes për koalicion, i treti me radhë ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, ky emision është një dëshmi e qartë se qëllimi nuk ishte që të paraqitej LDK si shënjestër e krimit politik, por për të goditur LDK-në dhe drejtuesit e saj të suksesshëm: presidentin Rugova dhe kryeministrin Mustafa. Presidentin Rugova për mbështetjen e madhe plebishitare, absolute nga qytetarët, kurse kryeministrin Mustafa për faktin se dy linjave kundërkombëtare ua mori postin e kryeministrit. Presidenti Rugova ka qenë dhe ka mbetur unik jo vetëm në historinë e kombit shqiptar, por edhe në historinë e rajonit dhe më gjerë. Presidenti Rugova ka qenë dhe ka mbetur personalitet i përmasave universale dhe i pakrahasueshëm me të tjerë, përaktësisht të tjerët me të. Kryeministri Mustafa me një profil krejt tjetër, me profilin e një teknicieni ekonomist dhe me një vetëdije të lartë institucionale, pra një burrështetas, arriti që ta bëjë LDK-në parti drejtuese të Qeverisë në vend, duke lënë pa pushtet njerëzit e paprekshëm në vend: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe të tjerë si këta. Me këtë, pra me marrjen e drejtimit të Qeverisë nga ana e LDK-së, u ndërpre projekti për zhbërjen e LDK-së që kishte filluar me vrasjet politike, e që ishte arsyeja e vërtetë e atyre vrasjeve, dhe hapi rrugën për proceset e profilizimit të partive të tjera. Pa marrjen e drejtimit të Qeverisë nga ana e LDK-së, nuk do të kishte as Gjykatë speciale, as zbardhje të faktit se dosje kundër UÇK-së nuk ka bërë LDK, por kanë bërë vetë shokët dhe ish-shokët, nuk do të kishte pasur debat për luftën dhe për paqen, për vlerat e luftës çlirimtare, pra nuk do të kishte pasur debat të këtillë çfarë po kemi. Natyrisht, Kadri Veseli si kryetar i PDK-së, është tepër i interesuar që ky debat të mos jetë në dëm të PDK-së, përkatësisht që qeverisja e vendit të mos shënohet si qeverisje që ka vulën e LDK-së, ose të vshtirësohet deri në ndërprerje të saj, me shpresën se kështu pengohet funksionalizimi i Gjykatës speciale dhe proceset e brendshme në PDK. Dhe duket se Ekspress, sikurse Insajderi kanë këtë qëllim: duke satanizuar LDK-në dhe kryeministrin Mustafa, të rritin figurën e Kadri Veselit, këtij drejtuesi të SHIK-ut. Dhe ky emision, pra emisioni “Shënjestra LDK”, del të jetë emision që e ka vënë në shënjestër LDK-në mediatikisht, njësoj sikurse që të tjerët e kanë vënë në shënjestër fizikisht.

Këto që thashë janë vetëm pak krahasuar me ato që mund të thuhen për këtë emision, pasi që këtu mund të flasim për aspektin profesional të realizimit që bazohet në montazhe të ndryshme të pamjeve dhe deklaratave të nxjerra nga konteksti, me shndërrimin e dhimbjeve dhe fatkeqësive familjare, politike e kombëtare në filma artistik, dramaciteti i të cilave sikurse në filma bëhej me muzikë, si dhe varfëria faktografike e tyre; mund të flitej edhe për dimensionin e gjerë të vrasjeve politike, në kuptimin e vrasjeve të ndryshme të ushtarakëve, të gazetarëve dhe të personaliteteve të ndryshme publike, pasi që ky emision ishte kufizuar vetëm në tri-katër vrasje, dhe ka lënë jashtë trajtimit vrasjen e Shaban Manajt, e cila është e veçantë se trupi i tij është karbonizuar, është lënë anash vrasja e Shefki Popovës, është lënë anash vrasja e Ukë Bytyçit, është lënë anash vrasja e komandant “Drinit” dhe të shumë vrasjeve të tjera. Pra, ka shumë për t’u vërejtur dhe për t’u analizuar, por meqë disa i kam paraqitur me foto herë pas here, dhe disa të tjera do t’i paraqes edhe me tej, jam kufizuar në dhënien e disa argumenteve pse emisioni “Shënjestra LDK” kishte vënë në shënjestër LDK-në dhe kryeministrin Mustafa, e që ka qenë qëllimi kryesor i këtij emisioni.