Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në klubin e natës në Stamboll gjatë festimit të ndërrimit të viteve që u mori jetën 39 personave.
“Hurriyet” dhe gazeta “Karar”, kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë duke thënë se autoritetet kanë përcaktuar se personi i armatosur që vrau 39 njerëz vjen nga një vend i Azisë Qendrore dhe besohet të jetë nga Uzbekistani ose Kirgistani.
Shtetasit e huaj që humbën jetën në sulmin e armatosur llogariten të jenë 24, apo gati dy të tretat e viktimave të sulmit, njofton agjencia shtetërore e lajmeve të Turqisë.
Shumë prej tyre ishin nga Lindja e Mesme, duke përfshirë Jordanin, Libanin dhe Arabinë Saudite, edhe pse vende nga India deri në Belgjikë njoftuan se qytetarë të tyre janë në mesin e viktimave.
Mediat turke raportojnë se agresori që vrau 39 personat në klubin Reina ka shkrehur rreth 180 plumba.
Sulmuesi i paidentifikuar mbërriti me taksi përpara se të nxitonte përmes hyrjes të klubit me një armë me tytë të gjatë që ai e kishte marrë nga bagazhi i automjetit.