Demos-i zviceran dhe Komuna rregullojnë parkun afër sallës së sportit “ 1 Tetori”

17.01.2017 15:01:54
Është shpallur tenderi për punimet në parkun e ri afër sallës “1 Tetori” -pjesa e sipërme. Financues të projektit janë organizata zvicerane DEMOS dhe Komuna e Prishtinës. Tenderi do të realizohet sipas kushteve të vendosura nga DEMOS. Ndonëse, bëhet fjalë për rregullim të infrastrukturës, një kriter për dhënie të kontratës është paksa i pa zakontë. Pese pikë më shumë do ti marrë ajo kompani që ka të punësuar më së shumti femra dhe persona me aftësi të kufizuara dhe grupe etnike.
Ky park i ri i karakterit sportiv është menduar t’i shërbejë qytetarëve të Prishtinës për rekreacion (streetball, pinpong, fitness, shah etj).

“Projekti DEMOS së bashku me Komunën e Prishtinës i fton të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin ofertat për kontratë në ofrimin e punimeve ndërtimore për zbatimin e projektit infrastrukturor në shkallë të vogël në qytetin e Prishtinës, pjesë e Skemës së Granteve të Bazuara në Performancë (SGBP). Zbatimi i këtij projekti do të financohet nga Helvetas Sëiss Intercooperation në Kosovë (HSI-K) dhe do të bashkë-financohet nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në ofertë, shkruan lajmi.net.

Secila ofertë do të vlerësohet në përputhje me kriteret dhe vlerësimin, sipas këtyre kritereve: 60 pikë Oferta teknike, 10 pikë Metodologjia, 30 pikë Cilësia – Përvoja dhe kapaciteti i kompanisë, 15 pikë Orari – Përvoja në punë të ngjashme, 5 pikë, Anëtarët e stafit nga grupet: femra, persona me aftësi të kufizuara dhe grupe etnike dhe 40 pikë Çmimi për njësi.

“Në mënyrë që të kemi të kuptuarit më të mirë të punës së kërkuar në këtë proces të prokurimit, ofertuesit duhet të vizitojnë lokacionin në datën e caktuar për vizitë, e cila do të jetë më 24 Janar 2017 në orën 10:00, para sallës së 1 Tetori në Prishtinë. Pritet që kjo vizitë në terren të shërbejë për të kuptuar më mirë fushëveprimin e punës nga ana e ofertuesve. Ofertuesit pritet të inspektojnë vendin ku do të kërkohen shërbimet, që të ndihmojë në llogaritjen më të mirë të kostos së punimeve që duhet të ndërmerren. Është parashikuar gjithashtu që vizitat në terren t’i ndihmoj ofertuesit për të kuptuar më mirë procesin e prokurimit dhe gjithashtu do të shmang ndonjë mosmarrëveshje të mundshme në proces”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Pas vlerësimit të ofertave, HSI-K rezervon të drejtën për të hyrë në negociata me të gjithë apo një pjesë të ofertuesve të para-përzgjedhur për të ndryshuar dhe/ose kompletuar ofertat e tyre origjinale.

Ky prokurim është “procedurë me ftesë” sipas Direktivës Zvicerane të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme mbi Prokurimin Publik të Shërbimeve, Mallrave dhe Ndërtimeve, 1 shtator 2013. Tenderi është menduar të realizohet duke filluar prej muajt mars deri në qershor.