RB Leipzig humb ndeshjen me gripin

04.02.2017 10:28:48

Situatë dramatike për RB Leipzig përpara sfidës me Borussia Dortmund-in në kuadër të javës 19-të të kampionatit gjerman. Një pjesë e mirë e skuadrës që ka befasuar me paraqitjen e saj në këtë sezon të Bundesliga-s po përballet me një epidemi të vërtetë gripi. Një moment i vështirë për të ashtuquajturën “Hirushe” të kategorisë elitare të futbollit gjerman e cila në 18 javë kampionat numëron 42 pikë, duke u pozicionuar e dyta pas Bayern Munich-ut kryesues me 45 .

Jo pak por tre lojtarë të skuadrës kanë deklaruar se nuk do të jenë në fushë ndaj verdhezinjve. Marcel Sabitzer dhe Diego Demme e kanë bërë të ditur sot mungesën e tyre, ndërkohë që të njëjtën gjë ka deklaruar një ditë më parë edhe golashënuesi Timo Werner. Këtyre mungesave iu shtohet edhe ajo e Emil Forsberg, i pezulluar për këtë takim. Madje edhe vetë trajneri Ralph Hasenhüttl është gjithashtu me grip. Të shtunën, atij i duhet të bëjë mrekullinë në kompozimin e 11-es që do të nisë sfidën ndaj Dortmund-it, ndërkohë që sektori ofensiv është totalisht “i asgjësuar”.