Veseli në Prekaz: Kosova po bëhet çdo ditë më e fortë

06.03.2017 12:11:37

Kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli pas homazheve në Prekaz ka thënë se dhimbja ende është për sakrificën e familjes Jashari është ende e freskët, por edhe krenaria. Sipas tij, Kosova çdo ditë po bëhet më e fortë.

“Pothuaje dy dekada po kalojnë dhe plagët natyrisht se janë ende të freskëta për aq sa edhe dhimbja jonë, por në të njëjtën kohë edhe krenaria dhe forca se Kosova jonë për të cilën u flijuan këta heronjtë po ec shumë përpara, po bëhet çdo ditë më e fortë dhe do të jetë e përjetshme si shtet i yni i pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.

Më tej ai ka thënë se Kosova do të jetë shembull i integrimit dhe zhvillimit si shtet i pavarur.

“Komandanti legjendar Adem Jashari së bashku me familjen e tij dhe më gjithë heronjtë e kombi janë garanti më i madh i shtetit të pavarur dhe sovran dhe i idealeve tonë dhe i frymëzimit se kah duhet të ecim si shtet. Përpara e kemi shumë punë për të bërë, por jemi të sigurt në besim tek ky gjakë i derdhun, te kjo sakrificë, te vendi jonë se kemi me ec përpara dhe në të njëjtën kohë Kosova do të jetë shembull i integrimit dhe zhvillimit të fuqishëm si shtet i pavarur”, ka përfunduar Veseli