Ministri Shala priti delegacionin Japonez

08.03.2017 15:39:19

Ministri z. Ferat Shala priti në takim z. Toshiya Abe, përfaqësues rezident i Zyrës së Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA – Japan International Cooperation Agency) për Ballkan, i shoqëruar me bashkëpunëtorët e tij.

Ministri z. Shala, e falënderoi z. ABE dhe përmes tij Qeverinë e Japonisë, si dhe stafin e JICA-s në Prishtinë për përkrahjen e deritanishme, si dhe në përkushtimin e tyre për të ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe jetesës për qytetarët e saj.

Ministri z. Shala, paraqiti objektivat dhe prioritetet e MMPH-së përfaqësuesve të JICA-s, që kanë të bëjnë me sektorin e ajrit dhe menaxhimin e mbeturinave, si dhe çështjet tjera mjedisore të përfshira në Strategjinë e Mjedisit dhe Strategjitë sektoriale. Ndërsa z. Abe, shprehi falënderimet e tij për shkëmbimin profesional të zyrtarëve të MMPH-së me ekspertët japonez në avancimin e tyre në përdorimin e teknologjisë për monitorimin e cilësisë së ajrit.

Në takimin e tij lamtumirës në përfundim të mandatit të tij, z. Abe premtoi se do ta përcjell tek pasardhësi i tij nevojat dhe prioritetet e MMPH-së në çështjet e mbrojtjes së mjedisit. Me këtë rast Ministri z. Shala i ndau Mirënjohje z. Abe për kontributin dhe angazhimet e tij në interes të mjedisit në Kosovë.