Dalin të tjera detaje në lidhje me vrasjen e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Artan Cuku. Burimet bëjnë me dije se në atentatin e mirë-organizuar kanë marrë pjesë dy persona. Viktima është qëlluar në distancë të afërt dhe plagët e marra i kanë shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Artan Cuku, 42 vjeç është qëlluar 5 herë, ku 4 plumba i janë zbrazur në gjoks dhe një në kokë. Një prej atentatorëve e ka pritur te hyrja e pallatit dhe tjetri ka qenë i fshehur brenda në katin e nëndheshëm të pallatit shumëkatësh. Ky dyshohet se ka qenë edhe autori kryesor që ka qëlluar mbi Cukun me gjakftohtësi, duke e lënë të vrarë.
Plumbi në kokë ka qenë fatal sepse pas kësaj goditje ish-zyrtari i policisë është shembur në tokë. Para ngjarjes, 42-vjeçari ka qenë i ulur në një nga lokalet e zonës së bashku me familjen e tij. Në momentin që ai është kthyer për në banesë, familja është ngjir lart, ndërsa Cuku ka ndaluar tek marketi i lagjes për tëblerë disa ushqime.
Dyshimet e para në lidhje me motivin e ngjarjes janë ato të vrasjes për shkak të detyrës së tij si ish-punonjës policie. Grupi hetimor i ngritur nga policia dhe prokuroria po heton në dy pista kryesore.
Njëra është ajo e hasmërisë që lidhet me detyrën e Cukut, në kohën kur ka qenë Shef Krimesh në Komisariatin nr.4 në Tiranë, në vitin 2005. Në këtë kohë, një i ndaluar vrau veten gjatë kohës që po merrej në pyetje me armën e Artan Cukut duke ia marrë nga brezi. Por sipas burimeve, kjo çështje ishte mbyllur mes familjeve dhe ishin pajtuar me njëra-tjetrën.
Pista tjetër që po ndjek policia është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka mbajtur viktima. Cuku qëndroi në këtë post për rreth dy vite. Gjatë kësaj kohe në qytetin bregdetar u goditën disa grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogave të forta. Hetimi është marrë në dorë nga Prokuroria dhe Krimet e Rënda, pasi ka dyshime se vrasja lidhet pikërisht me detyrën që ka kryer viktima.
Ndërkohë policia ka shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Grupi hetimor ende nuk ka ndonjë emër zyrtar të dyshuar për vrasjen e Cukut.