Zbatohet marrëveshja PS-PD, Vettingu kalon në Kuvend

23.05.2017 11:26:06

Pas disa orësh diskutime, mbledhje dhe debate, Kuvendi ka miratuar sonte të gjitha pikat e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut te PD-së, Lulzim Basha për futjen e opozitës në zgjedhje.

Kështu me 123 vota pro, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal dhe me 118 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat rrisin dukshëm dënimet për shit blerjen e votës.

“E kam pritur shumë këtë moment kur të dilja nga dera e Parlamentit dhe t’u thoja shqiptarëve që vettingut do të fillojë dhe që tanimë reforma në drejtësi nuk ndalet. Është një moment shumë emocionues sepse është një moment që të bën të thuash me plot gojë që politika është një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira”, tha Kryeministri Rama në fund të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Në të njëjtën kohë me 118 vota pro u miratuan ndryshimet në ligjin e mediave audiovizive.

Në përputhje me marrëveshjen, u miratua edhe përbërja e katër komisioneve të Vettingut.

Nga dita e sotme, kryetar i KQZ-se do të jetë Klement Zguri, i cili u zgjodh në këtë post me 117 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenim.

Ndërsa Denar Biba u zgjodh anëtar i KQZ-së me 113 vota pro 4 kundër dhe 4 abstenim.

Ne fund u votua edhe Erinda Ballanca si Avokate e Popullit me 112 vota pro, 4 kundër dhe 10 abstenim.