Në Shqipëri: Mori pjesë në fushatë, Avokati i Popullit nis hetimin për vartësen e tij

14.06.2017 19:13:59

Nga informacionet e bëra publike në media, rezulton se përfaqësuesja e Avokatit të Popullit të një Zyre Rajonale, ka marrë pjesë në një veprimtari politike të organizuar ne datë 13.06.2017 nga një subjekt politik, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, duke u prezantuar edhe si përfaqësuese e Zyrës Rajonale të Avokatit te Popullit.

Është e drejtë e çdo punonjësi të administratës shtetërore/publike që, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, të marrë pjesë në veprimtari politike, ndërkohë që i ndalohet pjesëmarrja në veprimtari të tilla gjatë orarit zyrtar të punës, apo të marrë përsipër të përfaqësojë institucionin ku ai punon, për sa kohe që nuk i janë deleguar kompetenca të tilla.

Pavarësisht se Avokati i Popullit nuk e ka marrë ende detyrën (Kuvendi me Vendimin nr. 70/2017 ka zgjedhur Avokat Populli zj. Erinda Ballanca, por duke qenë se de facto nuk e ka marrë ende detyrën sepse sipas nenit 4 të ligjit “Për Avokatin e Popullit “Para marrjes …. së detyrës Avokati i Popullit bën betimin para Kuvendit ….”, Avokati i Popullit zj. Erinda Ballanca do të fillojë detyrën menjëherë pasi të ketë bërë betimin para Kuvendit), nisur nga ngjarja e mësipërme strukturat drejtuese të institucionit kanë vendosur:

  1. Pezullimin nga detyra të përfaqësueses së institucionit të Avokatit të Popullit për Zyrën Rajonale Fier, deri në përfundimin e hetimit administrative.
  2. Informimin e të gjithë nëpunësve të institucionit të Avokatit te Popullit (përfshire edhe Zyrat Rajonale), që në rastet kur legjislacioni lejon pjesëmarrjen e tyre në veprimtari politike, të mos prezantohen si përfaqësues të institucionit, për sa kohë që nuk i është deleguar ndonjë kompetencë e tillë.

Institucioni i Avokatit të Popullit garanton se do të vazhdoj të kryej me korrektesë dhe paanshmëri të gjitha funksionet e ngarkuara nga ligji dhe Kushtetuta, për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.